E hënë, 9 Nëntor, 2026

Sara Mila merr pjesë në mbledhjen e Komisionit të Bujqësisë: Shqetësimet e fermerëve do t’i sjell në tryezën e Kuvendit

Share

Deputetja e Partisë Socialiste, Sara Mila, ka marrë pjesë në mbledhjen e saj të parë në Komisionin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në cilësinë e anëtares zëvendësuese.

Në një reagim pas mbledhjes, Mila shprehet se angazhimi i saj në këtë komision vjen si një nevojë e diktuar nga puna në terren dhe problematikat që ajo has në zonat që përfaqëson në Bashkinë e Elbasanit.

Deputetja thekson se gjashtë njësitë administrative që përfaqëson janë kryesisht zona bujqësore dhe se gjatë takimeve me banorët, një pjesë e rëndësishme e diskutimeve lidhet me tokën, prodhimin bujqësor dhe vështirësitë e familjeve që jetojnë nga puna në bujqësi.

“Prandaj e kam ndier gjithnjë e më shumë nevojën të jem më e informuar, më brenda debateve për projektligjet që lidhen me bujqësinë dhe më e angazhuar në nisma që prekin drejtpërdrejt jetën e njerëzve që përfaqësoj”, shprehet Mila.

Ajo nënvizon se synon të kuptojë më mirë se ku duhet ndërhyrë dhe çfarë mund të bëhet për t’u ardhur në ndihmë komuniteteve që përfaqëson.

Mila ka bërë të ditur gjithashtu se shqetësimet, kërkesat dhe propozimet që fermerët dhe banorët i ngrenë gjatë takimeve në fshatra, do t’i përcjellë edhe në Komisionin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

“Përgjegjësia ime është t’i ndjek edhe pasi ndahemi nga takimet, duke përdorur çdo mundësi që më jep detyra për të kërkuar zgjidhje”, shprehet deputetja.

Në përfundim të reagimit të saj, Sara Mila përcjell mesazhin: Besim, Empati, Shërbim, Angazhim, duke e lidhur angazhimin e saj parlamentar me problematikat konkrete të qytetarëve dhe fermerëve që përfaqëson.

Postimi i deputetes Mila

Sot mora pjesë në mbledhjen time të parë në Komisionin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, si anëtare zëvendësuese.
Këtë nevojë ma ka sjellë vetë puna në terren. Zonat e Bashkisë së Elbasanit, 6 njësi administrative që përfaqësoj janë kryesisht bujqësore dhe, në takimet me banorët, shumë nga bisedat tona lidhen me punën e tokës, prodhimin dhe vështirësitë e familjeve që jetojnë me të.
Prandaj e kam ndier gjithnjë e më shumë nevojën të jem më e informuar, më brenda debateve për projektligjet që lidhen me bujqësinë dhe më e angazhuar në nisma që prekin drejtpërdrejt jetën e njerëzve që përfaqësoj. Të kuptoj më mirë çfarë mund të bëjmë, ku duhet të ndërhyjmë dhe si mund të jem më e dobishme për ta.
Ato që diskutojmë bashkë në fshatrat tona dua t’i sjell edhe në këtë komision, me shqetësimet, kërkesat dhe propozimet tuaja. Përgjegjësia ime është t’i ndjek edhe pasi ndahemi nga takimet, duke përdorur çdo mundësi që më jep detyra për të kërkuar zgjidhje.
BESIM EMPATI SHËRBIM ANGAZHIM

Te tjera

Lajme te tjera