Indeksi i Çmimeve sipas Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë FAO,arriti në 136 pikë në shtator, nga 134 pikë që ishte në muajin Gusht. Kjo është rritja e tretë mujore radhazi dhe niveli më i lartë i regjistruar në gati katër vite. Krahasuar me shtatorin e kaluar, indeksi është rritur me 5.8 për qind, ku në krye të rritjes, janë disa prej produkteve kryesore ushqimore. Çmimi i grurit u rrit me 5.1%, sheqeri me 6.1%, ndërsa vajrat bimore me 0.9%. Në anën tjetër, çmimet e mishit ranë me 1.1 %, ndërsa produktet e qumështit shënuan një ulje të lehtë prej 0.1%.
Sipas FAO-s, tregjet e drithërave janë ndikuar nga problemet në rajonin e Detit të Zi dhe thatësira në disa zona të Amerikës së Veriut. Edhe misri u shtrenjtua, me 5.6 %, për shkak të shqetësimeve mbi prodhimin në Shtetet e Bashkuara, furnizimeve më të kufizuara nga Brazili dhe ndërprerjeve tregtare në Detin e Zi. Ndërkohë, shqetësimet për fenomenin klimatik ‘El Niño’, kanë ndikuar në tregun e sheqerit.
Problemet e transportit në Ngushticën e Hormuzit dhe në Detin e Zi, po shtojnë gjithashtu kostot e energjisë dhe transportit. Megjithatë, FAO pret që prodhimi global i grurit gjatë vitit 2026 të arrijë në rreth 2.979 miliardë tonë. Kjo do të ishte 2.1% më pak se një vit më parë, por sërish niveli i dytë më i lartë i regjistruar ndonjëherë. Zhvillimet e muajve të ardhshëm do të varen në masë të madhe nga kushtet atmosferike, prodhimi bujqësor dhe situata në korridoret kryesore të transportit dhe tregtisë globale.
