E premte, 2 Tetor, 2026

Media britanike: Shqipëria, zgjedhja ideale për një arratisje në tetor

Share

Shqipëria po veçohet si një destinacion i përshtatshëm për t’u vizituar në tetor, kur temperaturat janë më të buta, çmimet më të përballueshme dhe fluksi i turistëve më i ulët se gjatë muajve të verës.

Media britanike “Metro” e rendit Shqipëtinë ndër tre destinacionet që ia vlen të eksplorohen gjatë sezonit të ndërmjetëm, duke veçuar Rivierën Shqiptare, Beratin, Tiranën dhe Alpet Shqiptare.

Shtatori është një muaj disi i paqëndrueshëm. Një ditë dielli shkëlqen dhe të krijohet përshtypja se vera ende nuk ka përfunduar.

Të nesërmen, qielli është gri dhe moti është i zymtë, duke ju kujtuar se ditët e ftohta të dimrit po afrojnë.

Për këtë arsye, nuk është çudi që gjithnjë e më shumë turistë zgjedhin t’i shmangen ndryshimeve të shpeshta të motit dhe të udhëtojnë drejt vendeve më të ngrohta, përpara se dimri të nisë zyrtarisht.

ABTA e ka cilësuar këtë periudhë si “Super Shtatori” në raportin e saj “Trendet e Udhëtimeve 2026”, duke iu referuar periudhës kur turistët zëvendësojnë muajt e pikut të verës me një udhëtim në fillim të vjeshtës.

Megjithatë, jo të gjithë kanë mundësi ta ndjekin këtë prirje, veçanërisht prindërit me fëmijë që ndjekin shkollën.

Për ata që mund të udhëtojnë, kjo periudhë ofron avantazhe të tilla si çmime më të përballueshme dhe më pak turistë.

Që nga viti 2023, ABTA ka konstatuar se gjithnjë e më shumë turistë po zgjedhin muajt e vjeshtës për pushimet e tyre.

Në vitin 2025, pothuajse një e katërta e tyre, 24%, thanë se planifikonin të udhëtonin gjatë muajve shtator-tetor, krahasuar me 17% dy vjet më parë.

Ndërkohë, të dhënat e rrjeteve të udhëtimeve tregojnë se rezervimet e hoteleve në mbarë botën për sezonin e vjeshtës, janë rritur me 55% gjatë këtyre muajve.

Kjo tregon se kjo periudhë nuk konsiderohet më një sezon me kërkesë të ulët, kur udhëtimet rezervohen vetëm në momentin e fundit.

Në fakt, tetori është një muaj i përshtatshëm për të udhëtuar jashtë vendit dhe vazhdon të ofrojë të njëjtat përfitime që karakterizojnë sezonin jashtë pikut, veçanërisht çmimet më të favorshme dhe numrin më të ulët të turistëve.

Pikërisht për këtë arsye, “Metro” ka përzgjedhur tre destinacionet më të mira për një udhëtim në tetor, të cilat ende nuk janë të mbipopulluara nga turistët.

Në listë përfshihen Shqipëria, Menorka në Ishujt Balearikë dhe Napoli në Itali.

Shqipëria

Gjatë verës, plazhet e Ksamilit dhe Sarandës në Rivierën Shqiptare, janë më të mbipopulluara, rrugët janë të ngarkuara dhe infrastruktura përballet me një presion të shtuar.

Numri i vizitorëve gjatë pikut të sezonit është rritur ndjeshëm, i nxitur edhe nga popullariteti i Shqipërisë në platformën TikTok, duke kaluar 10 milionë turistë në vit dhe duke tejkaluar numrin e përgjithshëm të banorëve të vendit.

Megjithatë, për ata që duan të përjetojnë bukurinë dhe veçantinë e Shqipërisë pa u përballur me mbipopullimin turistik, tetori mund të jetë muaji i përsosur për ta vizituar vendin.

Në këtë periudhë, mund të vizitoni edhe fshatrat turistike të njohura të Rivierës Shqiptare, në jug të vendit, të cilat janë cilësuar si “Maldivet e Mesdheut”, pa u përballur me turmat e sezonit të verës.

Por, nëse jeni më shumë të interesuar për të vizituar vende historike dhe për të eksploruar kulturën e trashëgiminë sesa për të bërë plazh, në të gjithë vendin ka shumë qytete dhe qyteza të tjera që ia vlen të zbulohen.

Në Berat, qytetin e Shqipërisë së mesme që është pjesë e listës së UNESCO-s dhe që shtrihet përgjatë lumit Osum, mund të vizitoni shtëpitë e bardha të periudhës osmane, të ndërtuara njëra mbi tjetrën dhe me rreshta dritaresh të mëdha që shohin nga lugina.

Pikërisht këto karakteristika i kanë dhënë Beratit edhe emërtimin “Qyteti i një mbi një dritareve”.

Rekomandohet të vizitoni edhe kryeqytetin, Tiranën, e njohur për kulturën e saj të gjallë të kafeneve, si edhe për bunkerët e ndërtuar gjatë periudhës komuniste.

Gjithashtu, mund të eksploroni Alpet Shqiptare, një rajon malor spektakolar me shtigje që mund të krahasohen me ato të Dolomiteve në Itali.

Fluturimet, akomodimi dhe moti në Shqipëri

Tetori në Shqipëri ofron kushte ideale të motit për të vizituar dhe eksploruar vendin.

Gjatë ditës priten temperatura maksimale rreth 21°C, ndërsa gjatë natës temperaturat janë më të freskëta dhe zbresin deri në 13°C.

Kompania ajrore “Ryanair” ofron fluturime nga Londra drejt Tiranës për rreth 20 paund, gjatë gjithë muajit tetor, ndërsa edhe çmimet e akomodimit nuk janë shumë të larta.

Ju mund të qëndroni në hotelin me katër yje buzë detit “King Hotel Ksmil” për vetëm 46 paund nata, ose të zgjidhni një dhomë në “Doanesia Premium Hotel & Spa” në Tiranë, me një çmim prej 66 paundësh nata. 

Te tjera

Lajme te tjera