Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu u shpreh sot se mbi 1 700 biznese kanë shprehur interes për programin “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, ndërsa 800 prej tyre janë në proces trajtimi.
Gjatë vizitës së saj në sipërmarrjen “Enoalba”, një nga përfituesit e parë të programit “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, Koçiou theksoi se “kjo sipërmarrje është duke dëshmuar se puna, mbështetja e duhur dhe vizioni për të ardhmen mund të kthehen në histori suksesi”.
“Përmes këtij programi, bizneset e vogla dhe të mesme kanë akses në financim deri në 2 milionë euro, me normë interesi preferenciale 2–3% dhe Garanci Sovrane deri në 70%, për të investuar, zgjeruar aktivitetin dhe krijuar mundësi të reja”, tha Koçiu.
Zv.kryeministrja Koçiu tha se “vetëm në dhjetë ditët e para nga lançimi i platformës, nëpërmjet portalit e-Albania janë regjistruar 241 aplikime. Aktualisht, 222 raste po shqyrtohen nga bankat e nivelit të dytë dhe 20 biznese kanë marrë miratimin për financim me kredi”.
“Shumë biznese kanë idetë dhe vullnetin për të bërë hapin tjetër, por përballen me vështirësi në sigurimin e financimit. Përmes këtij programi duam t’u japim mundësinë të investojnë, të rriten dhe të krijojnë vende të reja pune”, vuri në dukje ajo.
Po ashtu, Koçiu bëri të ditur se për programin është vënë në dispozicion një linjë financimi prej 250 milionë eurosh, me mundësi zgjerimi deri në 1 miliard euro.
Koçiu u shpreh se “interesi i sipërmarrësve tregon se bizneset shqiptare duan të investojnë dhe të ecin përpara”.
“Çdo investim i realizuar është një mundësi për rritjen e biznesit, për vende të reja pune dhe për më shumë të ardhura për familjet shqiptare”, tha Koçiu duke shtuar se qeveria do të vijojë të mbështesë çdo sipërmarrës që beson, investon dhe kërkon të rritet.
Koçiu tha se “zhvillimi i bizneseve shqiptare është zhvillim i ekonomisë dhe i mundësive për më shumë familje e komunitete”.
