E hënë, 28 Shtator, 2026

Danimarka mposht Uellsin, Holanda triumfon në Beograd; barazime në Ligën D! Gjermania e Jurgen Klop-it nuk ‘ndez’, 4 herë kampionët e botës munden nga Greqia, Portugalia triumfon në Norvegji

Share

Në ndeshjen e Nations League mes Danimarkës dhe Uellsit, vendasit triumfuan me rezultat 2-0. Pjesa e parë përfundoi pa gola, ndonëse Gustav Isaksen e dërgoi topin në rrjetë në minutën e 24-të, por goli u anulua për pozicion jashtë loje.

Danimarka e zhbllokoi rezultatin në minutën e 53-të të pjesës së dytë, kur Ben Davies realizoi autogol për 1-0. Vetëm 13 minuta më vonë, në të 66-ën, Isaksen shënoi për 2-0 dhe vulosi fitoren e danezëve.

Në ndeshjen tjetër të Ligës A, Holanda fitoi 2-1 në udhëtim ndaj Serbisë. Holandezët kaluan në epërsi në minutën e 30-të, kur Mexx Meerdink realizoi nga penalltia, ndërsa pjesa e parë u mbyll 0-1.

Serbia reagoi menjëherë pas pushimit, me Luka Jovic që barazoi rezultatin në 1-1 në minutën e 46-të. Megjithatë, Meerdink ishte përsëri protagonist për Holandën, duke realizuar golin e tij të dytë në minutën e 69-të për rezultatin përfundimtar 1-2.

Ndërkohë, në Ligën D, Lituania dhe Azerbajxhani u ndanë në barazim 1-1. Të dy golat u shënuan në pjesën e parë. Armandas Kucys kaloi Lituaninë në epërsi nga penalltia në minutën e 9-të, ndërsa Mahir Emreli barazoi për Azerbajxhanin në minutën e 14-të. Pjesa e dytë nuk prodhoi gola dhe rezultati mbeti i pandryshuar.

Pa fitues dhe pa gola përfundoi edhe ndeshja mes Gjibraltarit dhe Andorrës. Pjesa e parë u mbyll 0-0 dhe e njëjta tablo vazhdoi edhe gjatë 45 minutave të dyta, me skuadrat që nuk arritën të gjenin rrugën drejt rrjetës, duke e mbyllur takimin me rezultatin 0-0.

Nga ana tjeter, Gjermania e drejtuar nga Jurgen Klopp u mposht 0-1 nga Greqia, të dielën në mbrëmje, në ndeshjen e vlefshme për raundin e dytë të Ligës A të UEFA Nations League. Takimi nisi i ekuilibruar dhe pjesa e parë u mbyll 0-0, pa asnjë skuadër që të arrinte të gjente rrugën e rrjetës.

Fraksioni i parë prodhoi më shumë duele dhe ndërhyrje të forta sesa raste vendimtare. Gjermania mori kartonin e parë të verdhë në minutën e 17-të me Yann Aurel Bisseck, ndërsa për Greqinë u ndëshkuan Georgios Vagiannidis në minutën e 21-të dhe Konstantinos Karetsas dy minuta më vonë.

Pas pushimit, Greqia ndërhyri menjëherë në formacion, duke aktivizuar Manolis Saliakas në vend të Vagiannidis. Në minutën e 59-të, trajneri grek bëri edhe dy ndryshime të tjera, mes tyre aktivizimin e Dimitrios Kourbelis në vend të Christos Zafeiris.

Pikërisht Kourbelis do të shndërrohej në protagonistin kryesor të mbrëmjes. Klopp reagoi në minutën e 65-të, duke hedhur në fushë Jonathan Burkardt dhe Florian Wirtz, në përpjekje për t’i dhënë më shumë forcë sulmit gjerman.

Megjithatë, ishte Greqia ajo që dha goditjen vendimtare. Në minutën e 74-t, Dimitrios Kourbelis realizoi golin e vetëm të takimit dhe kaloi Greqinë në avantazh 0-1.

Gjermania u përpoq të reagonte menjëherë. Dy minuta pas golit, Klopp aktivizoi Serge Gnabry në vend të Karim Adeyemit, ndërsa në minutën e 84-t bëri edhe dy ndryshime të tjera, duke futur Hennes Behrens dhe Anton Stach.

As ndryshimet nuk dhanë rezultatin e kërkuar. Greqia mbrojti avantazhin deri në vërshëllimën përfundimtare dhe u largua me një fitore 1-0, ndërsa Gjermania e mbylli ndeshjen pa shënuar.

Nderkaq Portugalia doli me tri pikë nga transferta ndaj Norvegjisë, duke fituar 2-1 në ndeshjen e vlefshme për raundin e dytë të Ligës A në UEFA Nations League. Luzitanët e nisën më mirë takimin dhe gjetën avantazhin që në minutën e 17-të.

Joao Felix finalizoi aksionin e Portugalisë pas asistimit të Pedro Netos, duke mposhtur portierin norvegjez dhe duke ndryshuar rezultatin në 0-1. Norvegjia kërkoi të reagonte, por Portugalia ruajti epërsinë dhe pjesa e parë përfundoi 0-1.

Pjesa e dytë nisi me një Norvegji më kërkuese dhe vendasve iu deshën vetëm gjashtë minuta për të rikthyer baraspeshën.

Në minutën e 51-të, ishte pikërisht ylli i skuadrës, Erling Haaland, që realizoi golin e barazimit. Sulmuesi shfrytëzoi asistimin e Patrick Berg dhe e çoi rezultatin në 1-1. Por festa norvegjeze zgjati vetëm tre minuta. Në minutën e 54-t, Gonçalo Ramos goditi për Portugalinë dhe riktheu menjëherë skuadrën e tij në avantazh, 1-2.

Ramos ishte pranë golit të dytë personal vetëm pesë minuta më vonë. Sulmuesi portugez e dërgoi sërish topin në rrjetë në minutën e 59-të, por goli u anulua për pozicion jashtë loje.

Portugalia ndërhyri edhe nga stoli, duke aktivizuar Vitinhën dhe Rafael Leaon, ndërsa në pjesën e fundit të takimit në fushë hynë edhe Rúben Neves, Trincao dhe Bernardo Silva.

Norvegjia kërkoi golin e dytë dhe aktivizoi Oscar Bobb dhe më pas Jorgen Strand Larsen, por mbrojtja portugeze rezistoi deri në fund.

As minutat shtesë nuk ndryshuan rezultatin dhe Portugalia vulosi fitoren 2-1 dhe mori tre pikë të rëndësishme.

Te tjera

Lajme te tjera