E hënë, 23 Nëntor, 2026

Nis viti i ri shkollor, mbi 330 mijë nxënës në të gjithë vendin! 25 mijë prej tyre ulen për herë të parë në banka, urojnë Rama, Begaj, Berisha dhe Kumbaro

Share

Në të gjitha shkollat e vendit sot ka nisur viti i ri mësimor. Mbi 330 mijë nxënës do të ulen në bankat e shkollës, me rreth 25 mijë nxënës që nisin për herë të parë shkollën. Ky vit i ri shkollor 2026-2027 vjen me risi dhe investime të rëndësishme në institucionet arsimore. MAS në të gjitha shkollat e vendit ka shpërndarë tekstet shkollore për vitin e ri shkollor, ndërsa për herë të parë, i gjithë cikli i arsimit fillor, nga klasa e parë deri në klasën e pestë, është pajisur me tekste shkollore të reja dhe falas. Ndërkohë 53 shkolla të reja ose të rehabilituara hapin dyert këtë vit shkollor, ndërsa më herët Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro ka bërë të ditur se janë miratuar edhe 39 projekte të tjera për rikonstruksionin e shkollave. ​Me fokusin për sigurinë në shkolla, këtë vit do të jenë në shërbim të nxënësve mbi 400 oficerë sigurie, të cilët do të punojnë sipas protokolleve dhe standardeve të përditësuara. Paralelisht vëmendje i është dhënë edhe shërbimit psiko-social, me 900 psikologë dhe punonjës socialë që do të jenë të pranishëm në shkollat e vendit gjatë vitit shkollor 2026–2027, për t’iu përgjigjur nevojave sociale dhe emocionale të nxënësve. 20 shkolla të Tiranës janë pjesë e projektit pilot “Smart City”, me kushte të shtuara sigurie përmes kamerave inteligjente. Për herë të parë 408 shkolla në mbarë vendin janë pjesë e programit “Pas shkolle”, duke u krijuar nxënësve mundësi për të mësuar, argëtuar dhe zhvilluar talentet e tyre në një mjedis socializimi dhe edukimi. Programi përfshin disa fusha, ndër të cilat “Bëjmë detyrat e shtëpisë”, muzikë, teatër, kërcim, zeje dhe arte pamore. Përmes këtyre aktiviteteve synohet që nxënësit të kenë akses në orë cilësore pas mësimit, të zhvillojnë potencialin dhe aftësitë e tyre, si dhe të krijojnë më shumë mundësi për socializim.

Ndërkohë Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro, me një videomesazh  ka uruar të gjithë nxënësit në arsimin parauniversitar, një vit të mbarë shkollor. “Mirëmëngjes, këtë ditë të parë të shkollës të gjithë ju nxënës të dashur, mësues, prindër dhe gjyshër që sot shoqëroni nipër e mbesa në shkollë. Të dashur vogëlushë që sot nisni klasën e parë, që në fytyrë shfaqni buzëqeshje, por brenda jush keni shumë emocione dhe zemrat e vogla ju rrahin fort, kjo do të jetë një ditë që do ta mbani mend gjatë, ndoshta gjatë gjithë jetës suaj, prandaj ne të rriturit, mësuesit, drejtori i shkollës suaj, jemi kujdesur që kjo të jetë një ditë e bukur, e gëzueshme dhe ju të ruani kujtime të bukura prej saj. Ju sot do të njihni shkollën tuaj, do të mësoni ku do të jetë klasa juaj, do të mësoni ku është palestra ku do të luani, oborri ku do të pushoni, laboratori inteligjent i shkollës ku do të mësoni të bëni gjëra të bukura, do të mësoni emrat e shokëve dhe shoqeve tuaj. Ne sot jemi së bashku dhe do të jemi së bashku kështu e çdo ditë të vitit shkollor”, shkruan Kumbaro. Në mesazhin e saj ajo thotë se në këtë vit janë rreth 1200 nxënës që janë transferuar nga shkollat jo-publike në shkollat publike. Sipas Kumbaros kjo tregon besimin që ofron sistemi publik i arsimit. Urime erdhën edhe nga kryeministri Edi Rama, kreu i PD, Sali Berisha dhe presidenti Bajram Begaj.

Mesazhi i plotë i Ramës:

Mirëmëngjes dhe me urimin për një vit të mbarë shkollor nxënësve, mësuesve, drejtuesve të shkollave, e padyshim edhe vetë prindërve që sot nisin fëmijët në shkollë, ju uroj të gjithëve një javë sa më të mirë. Disa prej shkollave të rilindura këtë vit, me kushte dhe standarde të reja për nxënësit dhe mësuesit.

Mesazhi i plotë i Berishës:

Të dashur nxënës, mësues dhe prindër, Së pari, urimin më të përzemërt për të gjithë nxënësit, mësuesit dhe prindërit shqiptarë në këtë ditë të veçantë për ta dhe për mbarë kombin. Një urim të veçantë, nga zemra, për vogëlushet dhe vogëlushët që ulen sot për herë të parë në bankat e shkollës. Uroj që ky vit i ri shkollor të jetë për ta një vit i mbarë dhe plot suksese, dije dhe ëndrra të bukura. Por, të dashur miq, viti i ri shkollor 2026–2027 e gjen Shqipërinë përballë një alarmi të madh demografik dhe arsimor. Në vetëm një vit, Shqipëria ka humbur rreth 5,900 nxënës të arsimit fillor. Numri i tyre ka rënë nga 146,962 në 141,089, një tkurrje prej rreth 4 %, ndërkohë, në Bashkimin Europian rënia ishte vetëm 0.2 %. Pra, Shqipëria po humbet fëmijët e saj me një ritëm shumë më të shpejtë se Europa.

Mesazhi i Presidentit Begaj:

Sot nis viti i ri shkollor për mijëra nxënës në të gjithë vendin. Çdo vit, çdo ditë e re në shkollë është një mundësi për të mësuar, për të zbuluar, por edhe për të ëndërruar. Shkolla nuk është thjesht një vend ku marrim dije. Është vendi ku përgatitemi të marrim përgjegjësi, ku mësojmë të njohim botën, të njohim vendin tonë, të kuptojmë historinë e tij, të çmojmë kulturën dhe vlerat e të kuptojmë misionin që kemi për të ardhmen e tij. Uroj të gjithë nxënësit, veçanërisht ata që ulen për herë të parë në bankat e shkollës, të kenë një vit të mbarë, të suksesshëm dhe të bukur! Një urim i veçantë për mësuesit, të cilët me përkushtim, durim dhe dashuri kryejnë një detyrë jashtëzakonisht të rëndësishme, për të cilën e gjithë shoqëria jonë u është thellësisht mirënjohëse! Të dashur nxënës, Besoni te vetja, besoni tek ëndrrat tuaja dhe tek e ardhmja. Ajo do të jetë më e mirë dhe është në duart tuaja! Ky është rezultati i një politike që nuk ka arritur të ndalë shpopullimin, emigracionin dhe largimin e familjeve shqiptare. Shqipëria po zbrazet, por narkoqeveria që është dhe shkaku i zbrazjes është vetëm e kënaqur me këtë!

Te tjera

Lajme te tjera