E martë, 18 Gusht, 2026

Kush po i luan fijet e fshehta në prapaskenë për të ngulur kthetrat mbi protestën, Grid Rroji paralajmëron zhvillime të forta, ja si lëvizja po përgatitet të kapet dhe të përdoret për një ripërzierje formale të pushtetit, ja e vetmja zgjidhje për të shpëtuar

Share

Grid Rroji, pedagog i shkencave politike në universitetin CUNY-New York në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka paralajmëruar në “Grid S Rroji Podcast” se protesta rrezikon të kapet nga ajo që ai e cilëson si “Paria e Tiranës” dhe të përdoret për një ndryshim vetëm formal të pushtetit. Sipas tij, rreziku është që të ndryshojnë vetëm emrat, ndërsa sistemi të mbetet i njëjtë. Rroji shprehet se shqiptarët nuk duhet të zëvendësojnë “njërin hajn me tjetrin, njërën bandë me tjetrën”. Ai kërkon që protesta të vazhdojë, të fuqizohet dhe të mos përdoret për interesa politike. Në këtë kuadër, Rroji e paraqet “Shtetkombin” si zgjidhjen që, sipas tij, mund t’u japë shqiptarëve një shtet me institucione të forta, barazi para ligjit dhe luftë kundër krimit.

Pjesë nga analiza e Grid Rrojit

“Dua të flas mbi një temë shumë të rëndësishme, e cila ka të bëjë me të ardhmen e shqiptarëve në gjendjen ku jemi dhe cila është arsyeja pse zgjidhja që kemi propozuar me kolegët dhe me miqtë e mi që prej disa viteve, të paktën 15 vite e disa nga kolegët edhe më gjatë se aq, pse zgjidhja e vetme për shqiptarët është Shtetkombi. Pse ne themi që Shtetkombi është zgjidhja jonë e vetme? Cilat janë arsyet? Cilat janë përgjigjet për disa nga psetë e shumta që na drejtohen gjatë bashkëbisedimeve me bashkëqytetarë e bashkatdhetarë, si në atdhe ashtu edhe në mërgatë?

Pra do të përpiqem që t’i përgjigjem sa më shumë pyetjeve pse me argumente të shkurtra dhe koncize, dhe në fund pastaj t’ju jap mënyrën se si do të funksiononte një zgjidhje e duhur për shqiptarët edhe në kontekstin e protestave, të cilat janë një nga gjërat më të mira që i ndodh shoqërisë shqiptare. Ajo që i duhet njerëzve tani, ajo që i duhet shqiptarëve tani, janë arsyet për të vazhduar këtë protestë, arsyet për ta përmirësuar këtë protestë, për ta bërë edhe më të fuqishme dhe mbi të gjitha për të mos e lënë parinë e Tiranës që ta kapë këtë protestë, që t’i fusë kthetrat kësaj proteste dhe ta përdorë për qëllimet e saj.

Pra ka dy mënyra për të vazhduar përpara: ose protesta do të vazhdojë në rrugën që kërkon paria e Tiranës, në një rrugë e cila do të bëjë një ripërzierje pa ndryshim real. Sistemi do të ndryshojë vetëm formalisht. Do të ndryshojnë emrat, të cilët siç duket janë përgatitur. Po përgatiten; Paria e Tiranës kontrollon çdo lloj mjeti dhe çdo lloj mënyre për të ecur përpara. Kontrollon në mënyrë të hekurt sigurinë e qytetarëve. Shumëkush mund ta shohë mënyrën se si sundon paria e Tiranës si një shtet i cili mbahet me anë të instrumenteve të dhunës, pavarësisht se nuk duket, pavarësisht se çdo gjë në dukje është e paqtë.

Frika që injekton paria e Tiranës me anë të instrumenteve të saj, me anë të mekanizmave që ajo kontrollon si atyre shtetërorë, por edhe atyre nënshtetërorë, shoqërorë, ekonomikë dhe të të gjitha llojeve të ndryshme. Kjo lloj frike i bën shqiptarët që të stepen. Pra, pa asnjë mëdyshje le të vazhdojmë tek ajo që është tema kryesore. Pse na duhet shtet-kombi? Pse është zgjidhja e vetme? Pse kemi ne të paktën 15 vjet, për sa më përket mua, dhe disa nga kolegët edhe shumë më tepër se aq, që ju themi shqiptarëve se duhet ndërruar rrugë?

Por jo thjesht duhet ndërruar rrugë, jo thjesht duhet ndryshuar një kryeministër hajn siç është ky që kemi sot, me një kryeministër hajn që është ai që pretendon të vijë në krye të shtetit shqiptar siç e kam treguar më parë. Jo të ndryshojmë njërin hajn me tjetrin, njërën bandë me tjetrën, por të përpiqemi të bëjmë atë që është më e mira për shqiptarët, në mënyrë që shqiptarët të jetojnë me nder, me fytyrë e me cipë, të kenë nderin që të jenë shqiptarë, të mos ikin nga Shqipëria por të kthehen në Shqipëri, të kenë mundësinë që ta shohin veten njerëz të vlerësuar brenda vendit të tyre dhe jo njerëz skllevër të kontrolluar nga një sindikatë ndërkombëtare e krimit e cila nuk ka asnjë lloj mëshire për shqiptarët.

Rreziku

Pra, pika e parë që dua të trajtoj është pikërisht kjo: arsyeja pse Shtetkombi është zgjidhja e vetme për shqiptarët sot është sepse kombit shqiptar i rrezikohet ekzistenca. Unë e kuptoj që shumë prej juve ju duket kjo një mënyrë dramatike të shprehurit. Mirëpo nuk di se si ta them në mënyrë tjetër. Nuk di se si ta bëj më të kuptueshme për njerëzit. Nuk na rrezikohet thjesht ekzistenca personale fizike, sepse çdokush gjen një mënyrë për të mbijetuar. Mirëpo si mbijeton ka rëndësi.

Mund të mbijetosh si një skllav i dikujt, të ulësh kokën e të mos flasësh. Ishte një histori që lexova në rrjetet sociale të një zonje në moshën pak a shumë time, ndoshta dhe pak më e moshuar se unë, që i kujtohej se si e bullizonin në shkollë të mesme dhe e ndjente veten fajtore që shihte shoqen e vet që e kishin bullizuar, por ajo nuk kishte pasur guximin për të folur në atë sistemin e vjetër. Pra, mund të jetohet edhe duke ulur kokën, mund të jetohet edhe duke ndenjur skllav i një padroni të ri, mund të jetohet edhe duke duruar për shumë e shumë kohë.

Mirëpo kjo lloj ekzistence është një ekzistencë të cilën askush nuk ia uron vetvetes. Askush nuk do që të ekzistojë si një qenie subhumane, si një qenie që nuk merr dot vendimet e veta, si një qenie që nuk ka shtet, që nuk ka një mbrojtje, që nuk ka një infrastrukturë, që nuk e ndjen veten pjesë të një komuniteti, të një bashkësie kombëtare vëllezërish dhe motrash, të cilët të mbrojnë gjithkënd, të cilët të mbrojnë gjithsecilin. Dhe siç jua kam thënë edhe më parë, kjo është mënyra në të cilën është ndërtuar e gjithë bota.

Mirëpo Shqipërisë i kanoset rreziku fatal i daljes së pronarit të ri siç e kemi thënë, dhe ky pronari i ri, Sindikata Ndërkombëtare e Krimit, në bashkëpunim me një pari antikombëtare çshqiptarizuese që i urren shqiptarët, që nuk ju do, ju jep gjithçka me koston 10-fish, 20-fish, 30-fish. Pra çdo gjë që merrni nga kjo pari, ato gjëra që mund t’ju duken të këndshme e të mira, edhe ato paratë që i fusni në bankë, mos harroni që i keni marrë me një çmim të paktën 10-fish: kanë fituar ata dhe të paktën 100-fish më shumë ose 200-fish më shumë ka përfituar Sindikata Ndërkombëtare e Krimit.

Dhe është një borxh në të cilin nuk hyni thjesht ju. Është një skllavëri në të cilën nuk fusni vetëm veten. Është një skllavëri në të cilën fusni brezat e ardhshëm. Pra poshtërsia e këtyre 36 viteve nuk është thjesht se kanë vjedhur. Nuk është thjesht se kanë hapur portat e Shqipërisë dhe e kanë bërë hambar pa porta, as pa dritare, as pa çati, thjesht mure e kushdo vjen, kushdo hyn, kushdo del, vijnë, marrin, gllabërojnë edhe pastaj dalin, ikin, shkojnë, i nxjerrin paratë jashtë. Edhe këta vetë i nxjerrin paratë jashtë. Pra nuk është thjesht ky problemi.

Problemi dhe krimet që kanë bërë këta shkojnë përtej kësaj, sepse këta kanë futur në skllavëri brezat e ardhshëm. Jo më kot ata që dalin më së shumti në protestë janë rinia, sepse është rinia që e kupton që nuk ka më asnjë zgjedhje në këtë lloj Shqipërie. Nuk ka më asnjë lloj të ardhmeje në këtë lloj Shqipërie, sepse pavarësisht se mund të mos jenë të qartë se cila rrugë duhet marrë, pavarësisht se mund të mos jenë të qartë se si duhet vepruar për t’i dalë kundër kësaj parie e cila kontrollon shumë qeliza – do të ndalem në ato më poshtë – ajo rini e ndjen në zemër, e ndjen në shpirt që e kanë skllavëruar.

Mirëpo ajo që duhet të kuptojnë është që skllavërimi ka ardhur edhe si pasojë e mosveprimit, e heshtjes apo ende dhe më keq, e bashkëpunimit të prindërve dhe gjyshërve të tyre me të gjitha llojet e projekteve antishqiptare të kësaj parie. Sot është Edi Rama në krye. Përpara ka qenë Sali Berisha. Më parë ka qenë Ilir Meta, Erion Veliaj, Lulzim Basha e të gjitha veglat dhe dominotë që i kanë luajtur ata si ushtarë shahu në të gjitha llojet e lojërave të ndryshme për Sindikatën Ndërkombëtare të Krimit.

Ka një arsye pse të rinjtë nuk e shohin këtë shpresë. Kjo arsye është mungesa e dinjitetit, mungesa e nderit, të cilin mund të ta japë vetëm një shtet që të përfaqëson. Mirëpo që shteti të përfaqësojë… se shtetin e kemi thënë disa herë dhe është një gjë e njohur që shteti është instrument dhune. Shteti të pengon të bësh disa gjëra që mund edhe të të pëlqejë t’i bësh sepse ato janë të dëmshme për shoqërinë.

Shteti vendos kufij, dhe këta kufij duhet të jenë të pakalueshëm për askënd, sepse përndryshe, në qoftë se shteti vendos kufij për mua por jo për ty, ai është një shtet që më shtyp mua. Në qoftë se vendos kufijtë vetëm për shqiptarët por jo për antishqiptarët, ai është një shtet diktatorial. Në qoftë se shteti mbahet me polici, ai është një shtet policor. Në qoftë se shteti mbahet me kontrollin e të gjitha hallkave të një shoqërie, ai është një shtet totalitar. Pavarësisht a e kuptojnë apo nuk e kuptojnë njerëzit, pavarësisht a jeni apo jo të ndërgjegjshëm ju që jetoni në një diktaturë jakobine të një shteti totalitar.

Zgjidhja

Pra shteti, për t’u bërë i pranueshëm, ka nevojë për një suazë, për një ombrellë ku të gjithë njerëzit që janë nën atë shtet, të gjithë shqiptarët që jetojnë në Shqipëri dhe më gjerë, ta ndjejnë veten pjesë të një organizmi shoqëror edhe më të gjerë, organizmi shoqëror që e bën të nevojshme mbrojtjen e shtetit, dhe ky organizim është kombi. Pra Shtetkombi është përfaqësim i dy gjërave kryesore: së pari, nevojës që ne kemi për një shtet me institucione të forta, me ndëshkim të fortë, me barazi përpara ligjit për gjithkënd, me luftë pa asnjë kompromis ndaj krimit, sepse një shtet që është në dorë të krimit nuk është më shtet, është bandë kriminale vetë.

Dhe në anën tjetër, duhet një princip që ta pranojmë të gjithë, që të na bashkojë të gjithë, që të na bëjë të gjithëve pjesëtarë të këtij organizimi, dhe ky është kombi. E vetmja gjë që na bashkon ne shqiptarët është qenia shqiptar. Nuk mund të jetë as feja, as diçka tjetër, sepse ne kemi përqafuar në momente të ndryshme historike fe të ndryshme e të tjera e të tjera. As organizimet sektare, as ato nuk na bashkojnë sepse kemi një histori të gjatë të mosmarrëveshjeve të tilla. As problemet që kemi me pakicat të cilat jetojnë me ne, as ato nuk mund të jenë në bazë të këtij shteti sepse nuk përbashkojnë shqiptarët.” /gazeta sot/

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Te tjera

Lajme te tjera