E martë, 18 Gusht, 2026

Mbi 12 mijë të huaj punësohen në Shqipëri, bizneset “hapin dyert” për fuqinë punëtore nga jashtë, drejtoresha e DSHTP-së Gertiola Çepani, zbardh detajet

Share

Kërkesa e lartë e bizneseve në Shqipëri për krah pune ka nxitur një valë të re punësimi të të huajve, numër i cili ka ardhur në rritje. 12.348 është numri i të huajve të punësuar në vendin tonë, sipas të dhënave të Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive.

Tregu i punës në Shqipëri ka pasur kërkesa në rritje për punëtorë të huaj, sidomos me zgjerimin e sektorëve të turizmit. Sipas të dhënave nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive, 68 përqind e të gjithë numrit të miratimeve në vitin 2025 u arrit vetëm në gjashtë muajt e parë të këtij viti, ku kryesojnë shtetasit italianë.

Gertiola Çepani, Drejtore e Shërbimeve të Tregut të Punës (DSHTP) u shpreh: “Ka pasur shumë kërkesa për fuqi punëtore, të cilat lidhen drejtpërdrejt me zgjerimin e disa sektorëve, kryesisht atij të turizmit. Një pjesë e kësaj kërkese është mbuluar me punonjës shqiptarë, por një pjesë tjetër është plotësuar me punonjës të huaj. Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026 janë miratuar mbi 12.300 aplikime, çka përkthehet në një rritje të ndjeshme të kërkesës për fuqi punëtore. Kryesisht, shtetet nga vijnë punonjësit e huaj janë Italia, Turqia, Kosova, Filipinet, India dhe Egjipti. Sektorët ku vihet re rritja më e madhe e punësimit të huaj lidhen me akomodimin dhe shërbimin ushqimor, industrinë përpunuese, ndërtimin dhe tregtinë.”

Nga të dhënat e portalit të punësimit puna.gov.al, punëdhënësit çdo muaj shpallin një numër të konsiderueshëm vendesh të lira pune, kërkesa që vijnë sipas nivelit të arsimit.

 “Çdo muaj në portalin e punësimit shpallen rreth 5.500 deri në 6.500 vende të lira pune. Për personat me arsim të lartë, kërkesat më të shtuara janë për ekonomistë, menaxherë, specialistë komunikimi, zhvillues softuerësh dhe inxhinierë. Për ata me arsim të mesëm, vendet e lira lidhen kryesisht me profesionet e kamerierit, shoferit të mjeteve të rënda dhe kuzhinierit. Ndërsa për personat me arsim të ulët ose pa arsim fare, kërkesat më të zakonshme janë për punonjës pastrimi dhe ndihmës kuzhinierë.”

Këto shifra tregojnë se vendi ynë mbetet një atraksion jo vetëm turistik, pasi rritja e kërkesës nga bizneset ka bërë që shumë sipërmarrje të orientohen drejt rekrutimit të punonjësve nga jashtë vendit. /rtsh.al/

Te tjera

Lajme te tjera