Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, provigjionet për kreditë arritën në 4,05 miliardë lekë në 6-mujorin e parë të vitit, me një rritje prej 65% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Provigjionet janë fonde që bankat krijojnë për të mbuluar humbjet e mundshme nga kreditë që mund të mos shlyhen. Niveli i tyre përcaktohet në funksion të rrezikut të kredisë dhe shkallës së mospagesës.
Sipas rregullave të Bankës së Shqipërisë, përqindja e provigjionimit rritet në varësi të kohës së vonesës në shlyerjen e kredisë, duke arritur deri në 100% për kreditë e papaguara prej një viti, të cilat klasifikohen si të humbura.
Rritja e provigjioneve vjen në një kohë kur raporti i kredive me probleme ka shënuar përmirësim. Në mesin e vitit, ky tregues zbriti në 3,7%, nga 3,8% në fillim të vitit dhe 4% një vit më parë.
Megjithatë, në vlerë absolute, stoku i kredive me probleme arriti në rreth 36,7 miliardë lekë, rreth 1 miliard lekë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Rritja e provigjioneve përbën një faktor që ndikon drejtpërdrejt në rezultatin financiar të bankave, pasi këto fonde regjistrohen si shpenzime për mbulimin e humbjeve të pritshme nga portofoli i kredive.
