Nga serat e Samaticës në Berat drejt tregjeve europiane. Kjo është historia e Mariglen Ziut, i cili prej 16 vitesh merret me kultivimin e perimeve dhe ka ndërtuar aktivitetin e tij bujqësor duke e orientuar prodhimin drejt eksportit.
Në një sipërfaqe prej 8 dynymësh me sera, Marigleni kultivon perime të ndryshme, duke e çuar prodhimin e tij përtej tregut vendas. Italia, Kroacia dhe Rumania janë disa prej vendeve ku mbërrijnë produktet e fermës së tij.
Puna e nisur vite më parë është shndërruar në një aktivitet të qëndrueshëm bujqësor, ku prodhimi në sera dhe orientimi drejt eksportit kanë krijuar mundësi për zhvillimin e mëtejshëm të fermës.
Së fundmi, Mariglen Ziu ka aplikuar për të përfituar nga skema e kompensimit të faturave tatimore, përmes së cilës fermerët përfitojnë rimbursim në masën 10% të faturave.
Për Mariglenin, kjo mbështetje përkthehet në një ndihmë konkrete për përballimin e kostove dhe vijimin e investimeve në aktivitetin bujqësor.
Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) e konsideron kompensimin 10% të faturave si një mbështetje shtesë për fermerët, që synon të ulë kostot e prodhimit dhe të krijojë më shumë hapësirë për zhvillimin e aktivitetit.
Historia e fermës së Mariglen Ziut është një tjetër shembull i potencialit të bujqësisë shqiptare për të prodhuar për tregun vendas, por edhe për të konkurruar në tregjet europiane përmes eksporteve.
