Shqipëria ka përmbushur kërkesat për statusin e vendit të lirë nga infeksioni me Influencën Aviare me Patogjenitet të Lartë (HPAI) në shpendë, në përputhje me standardet e Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve (WOAH).
Ky zhvillim përbën një arritje të rëndësishme për shëndetin veterinar, sigurinë ushqimore dhe sektorin e shpendëve në vend, si rezultat i punës së vazhdueshme të shërbimit veterinar shqiptar.
Procesi është mbështetur në survejancën aktive dhe pasive, diagnostikimin laboratorik, kontrollet zyrtare, zbatimin e masave të biosigurisë dhe reagimin e shpejtë ndaj rasteve të dyshuara dhe të konfirmuara.
Vatra e fundit e Influencës Aviare u raportua më 2 mars 2025, ndërsa masat e kontrollit dhe dezinfektimit përfunduan më 15 mars 2025. Që prej atëherë, vijimi i survejancës dhe monitorimit veterinar ka qenë një element kyç për garantimin e kontrollit të sëmundjes.
Përmbushja e këtyre kërkesave dëshmon forcimin e sistemit veterinar shqiptar dhe kapacitetet e tij për parandalimin, zbulimin dhe kontrollin e sëmundjeve të kafshëve. Ky rezultat lidhet drejtpërdrejt edhe me garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit publik.
Arritja përbën gjithashtu një hap të rëndësishëm në procesin e përafrimit të standardeve veterinare shqiptare me ato të Bashkimit Evropian.
Rezultati është mundësuar falë angazhimit të profesionistëve të shërbimit veterinar, strukturave përgjegjëse, laboratorëve, shërbimeve veterinare rajonale dhe fermerëve, të cilët kanë kontribuar në zbatimin e masave të kontrollit dhe biosigurisë.
#ShëndetiVeterinar #AvianInfluenza #Albania #WOAH #MBZHR
