Një dosje e gjerë sigurie ka nxjerrë në pah një seri kërcënimesh serioze që kanë shoqëruar zhvillimin e Kupës së Botës, me Lionel Messin dhe Cristiano Ronaldon mes emrave që dyshohet se kanë qenë në shënjestër.
Sipas dokumentit të publikuar nga mediat spanjolle, gjatë turneut janë regjistruar kërcënime për sulme me eksploziv, telefonata alarmuese dhe tentativa për t’iu afruar lojtarëve në mënyrë të paautorizuar.
Një prej rasteve më shqetësuese lidhej me kombëtaren e Argjentinës. Përpara ndeshjes ndaj Jordanisë, një person telefonoi në aeroportin e Dallasit dhe pretendoi se, së bashku me dy persona të tjerë, planifikonte të sulmonte stadiumin me bomba artizanale dhe armë zjarri. Sipas raportimeve, gjatë telefonatës u përmend në mënyrë specifike edhe Lionel Messi si objektiv.
Një tjetër alarm u regjistrua përpara ndeshjes së Argjentinës me Egjiptin. Në këtë rast, një person publikoi mesazhe kërcënuese në rrjetet sociale, duke pretenduar se do të hynte në stadium me eksploziv të lidhur në trup dhe se synonte të sulmonte Messin.
Autoritetet u vunë në alarm edhe nga një telefonatë tjetër, gjatë së cilës një person pretendoi se kishte vendosur bomba në ambientet e një stadiumi. Pas sinjalizimit, u kryen kontrolle të zgjeruara nga specialistët antieksplozivë dhe njësitë me qen të trajnuar.
Alarm edhe për Cristiano Ronaldon
Edhe Cristiano Ronaldo rezulton të jetë përfshirë në incidente shqetësuese sigurie. Sipas dosjes, një punonjës i FIFA-s ngriti alarmin pasi një person i dyshimtë po kërkonte informacione lidhur me vendqëndrimin e yllit portugez gjatë turneut.
Në një tjetër episod, një tifoz i përshkruar si i dhunshëm arriti të hynte në hotelin ku qëndronte Ronaldo dhe tentoi t’i afrohej atij në ashensor. Më pas, personi pretendoi se synimi i tij kishte qenë vetëm të realizonte një fotografi me futbollistin.
Mijëra kërcënime ndaj arbitrave
Dosja evidenton gjithashtu presionin e madh ndaj zyrtarëve të ndeshjeve. Arbitri François Letexier raportohet se mori më shumë se 6 mijë mesazhe kërcënuese në WhatsApp pas vendimeve të tij në ndeshjen Argjentinë-Egjipt.
Edhe zyrtarë të sistemit VAR raportohet se janë përballur me kërcënime serioze, duke e zgjeruar problematikën përtej sigurisë së futbollistëve.
Krahas kërcënimeve fizike, gjatë turneut janë raportuar edhe sulme raciste dhe presion i fortë ndaj lojtarëve. Kylian Mbappé përmendet mes futbollistëve të prekur, ndërsa lojtarë të tjerë dyshohet se kanë marrë kërcënime pas gabimeve të kryera gjatë ndeshjeve.
Dokumenti paraqet kështu një panoramë shqetësuese të sfidave të sigurisë gjatë turneut, ku kërcënimet nuk janë kufizuar vetëm te yjet më të mëdhenj, por kanë prekur edhe arbitra, zyrtarë dhe futbollistë të tjerë.
