E enjte, 6 Gusht, 2026

“The Guardian” zbulon komplotin e Infantinos: Ishte pro ‘Super Ligës’ së Perezit dhe kërkonte fundin e Champions League

Share

Dyshimet kishin qarkulluar prej kohësh, por tashmë kanë marrë një konfirmim të fortë. Prestigjiozja britanike “The Guardian” ka publikuar dokumente të vitit 2020, të cilat zbulojnë ekzistencën e një marrëveshjeje paraprake për krijimin e FIFA Super League, duke hedhur dritë mbi rolin që mund të ketë pasur presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino.

Në prill të vitit 2021 u prezantua zyrtarisht projekti i Super League, ku morën pjesë 12 klube elitare evropiane. Megjithatë, iniciativa u shemb brenda pak orësh për shkak të reagimeve të ashpra të tifozëve, presionit politik në mbarë Evropën dhe kundërshtimit të institucioneve të futbollit. Në atë kohë, Infantino u rreshtua publikisht në krah të presidentit të UEFA-s, Aleksander Ceferin, duke deklaruar se FIFA e refuzonte kategorikisht një ligë të mbyllur dhe të shkëputur nga strukturat ekzistuese të futbollit.

Megjithatë, dokumentet e publikuara tani tregojnë një panoramë krejt tjetër. Sipas tyre, vetëm pak muaj përpara deklaratave publike, Infantino ishte pjesë e negociatave për krijimin e një kompeticioni paralel. Në dokumentacion, FIFA identifikohet me kodin “W01”, një sigël që përdoret edhe nga ushtria britanike për zyrtarë të rangut të lartë.

Marrëveshja paraprake parashikonte një partneritet 12-vjeçar mes FIFA-s dhe Super League, si edhe krijimin e një kompanie të përbashkët për administrimin e aktiviteteve komerciale, jo vetëm të Super League, por edhe të Botërorit të zgjeruar të Klubeve, që do të zhvillohej në një format trejavor.

Sipas projektit, Super League do të shtrihej edhe në futbollin e femrave dhe do të përbëhej nga 15 klube të përhershme, ndërsa pesë vende të tjera do të fitoheshin përmes kompeticioneve ekzistuese. FIFA do të kishte një rol dominues falë pjesëmarrjes së privilegjuar në aksione, duke pasur ndikim në ndryshimin e formatit të garës, kalendarit, shpërndarjen e të ardhurave dhe emërimin e drejtorit ekzekutiv.

Plani parashikonte gjithashtu reduktimin e dritareve të ndeshjeve të kombëtareve në vetëm dy periudha dyjavore çdo vit, si edhe uljen e numrit të skuadrave pjesëmarrëse në kampionatet kombëtare. Një reformë e tillë do t’i jepte FIFA-s një rol edhe më të madh në riformatimin e futbollit botëror, duke kufizuar ndikimin e federatave kombëtare.

The Guardian” thekson se Infantino ishte mes drejtuesve të FIFA-s të përfshirë në këtë projekt dhe se ishte vazhdimisht i informuar mbi ecurinë e negociatave. Ende nuk dihet pse iniciativa nuk kaloi fazën e marrëveshjes paraprake. Burime të cituara nga media britanike bëjnë të ditur se më vonë Infantino u kërkoi bashkëpunëtorëve të tij të mos ndërmerrnin veprime kundër institucioneve tradicionale të futbollit.

Zbulimet e fundit forcojnë bindjen se presidenti i FIFA-s ka synuar prej kohësh të ndryshojë ekuilibrat e futbollit ndërkombëtar dhe të zgjerojë ndikimin e institucionit që drejton. Në të njëjtën linjë shihet edhe ideja e fundit për shitjen e një pjese të aseteve komerciale të FIFA-s tek investitorë privatë.

Megjithëse FIFA ka siguruar rreth 15 miliardë dollarë të ardhura gjatë ciklit 2022–2026 dhe zotëron afro 5 miliardë dollarë në likuiditete dhe aktive financiare, plani për të shitur përgjithmonë 20% të të drejtave komerciale të turneve të saj, përfshirë Botërorin, në këmbim të 4.2 miliardë dollarëve, nuk konsiderohet një marrëveshje veçanërisht fitimprurëse për organizatën. Sipas analizës së “The Guardian”, përfituesit më të mëdhenj të një transaksioni të tillë do të ishin investitorët privatë dhe jo vetë FIFA.

Te tjera

Lajme te tjera