E martë, 4 Gusht, 2026

SHBB “ARRKO” bashkon fermerët e Kolonjës, qeveria garanton financim 100% dhe investime deri në 2 milionë euro, ministri Salla zbulon detajet dhe arsyet pse kjo nismë shihet si mundësi për zhvillimin e ekonomisë lokale

Share

Shoqëria e Bashkëpunimit Bujqësor “ARRKO”, e krijuar në kuadër të nismës për organizimin e fermerëve sipas produkteve prioritare në çdo bashki është një model që synon të bashkojë fermerët e Kolonjës për të prodhuar, përpunuar dhe tregtuar së bashku.

Përmes Shoqërive të Bashkëpunimit Bujqësor fermerët jo vetëm që forcojnë pozitën e tyre në treg, por përfitojnë edhe mbështetje të plotë përmes Skemës Kombëtare, ku SHBB-të prioritizohen dhe financohen të parat me 100%.

Gjatë një takimi në Kolonjë u diskutua gjithashtu mbi nismën “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, e cila u krijon fermerëve dhe sipërmarrësve mundësi të investojnë në zgjerimin e aktivitetit, rritjen e kapaciteteve përpunuese, krijimin e më shumë vlerës së shtuar dhe forcimin e konkurrueshmërisë së sektorit agroushqimor.

Kryebashkiaku i Kolonjës, Erion Isai e cilësoi këtë model si një mundësi për zhvillimin e ekonomisë lokale, duke theksuar se një SHBB e ardhshme synon edhe ringritjen e pikës së grumbullimit në qytetin e Ersekës.

“Si një koncept i asaj që qeveria shqiptare, Kryeministri, Ministria e Bujqësisë, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, por edhe koha e kërkon, është koncepti i ndërmarrjeve të përbashkëta apo shoqërive të bashkuara bujqësore. Po në shembullin e kësaj SHBB-je do të jetë SHBB-ja e ardhshme për ringritjen e pikës së grumbullimit të qytetit të Ersekës. Secili nga këta sektorë, përpos mundësisë së vet të jashtëzakonshme të prodhimit ekonomik, blegtoral apo të gjithë nëndegëve të ekonomisë që kjo prodhon, bashkë me këtë mund të japë dhe të gjenerojë një të ardhur tjetër, e cila është e ardhura turistike”, tha Isai.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla tha se numri i fermerëve që kërkojnë të bashkohen në SHBB është në rritje, ndërsa Ministria po asiston bashkitë në ndërtimin e modeleve të bashkëpunimit dhe përgatitjen e investimeve.

Salla theksoi se mbështetja mund të vijë përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Skemës Kombëtare, programeve të IPARD-it dhe instrumenteve të tjera financiare.

“Të gjithë fermerët do të duan që të bashkohen. Është një numër në rritje, por kërkon një procedurë ligjore pak më afatgjatë. Disa bashki tashmë e kanë nisur modelin e SHBB-ve, ku kemi asistuar ne si ministri në të gjitha procedurat e duhura për ta ndërtuar si model dhe më pas të kalojmë me investimet që do të bëjmë, qoftë me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, qoftë me Skemën Kombëtare, qoftë me hapjen e IPARD-it, apo me çdo mundësi tjetër ekonomike me buxhetin e shtetit shqiptar”, tha ai.

Ai përmendi gjithashtu nismën “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, me garanci sovrane 2% dhe mundësi financimi deri në 2 milionë euro, ku shteti mbulon një pjesë të konsiderueshme të kolateralit.

Sipas ministrit, këto instrumente synojnë të ndihmojnë fermerët dhe bizneset të zgjerojnë aktivitetin, të rrisin kapacitetet përpunuese dhe të krijojnë më shumë vlerë të shtuar në sektorin agroushqimor.

“Për të arritur edhe te garancia sovrane që kemi vendosur tashmë, me një garanci 2%, por me një vlerë investimi deri në 2 milionë euro. Kjo është për të gjithë bizneset, jo vetëm për SHBB-të, por edhe për bizneset që duan të dyfishojnë ndërmarrjet e tyre, për të marrë një kredi me një afat 7-10 vjet, por duke pasur parasysh që kolateralin 50-70% e ka shteti shqiptar. Ndërsa 30% apo 50%, në varësi të rastit, do ta mbulojë biznesi”, tha Salla.

Te tjera

Lajme te tjera