E diel, 2 Gusht, 2026

Berisha: Narkodiktatori është tmerruar, protestën nuk po e ndal as terrori policor dhe as temperaturat e larta. Ftoj demokratët të jetë pjesë e këtij uragani dhe qytetarët e njësive vendore të zhdukura nga Rama që të ngrihen në protesta

Share

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi dje gjatë bashkëbisedimit online me qytetarët se protestat kundër qeverisë po vijojnë me intensitet, duke i cilësuar ato si shprehje të pakënaqësisë së thellë ndaj qeverisjes së Edi Ramës. Ai u bëri thirrje demokratëve dhe qytetarëve nga e gjithë Shqipëria t’i bashkohen protestës së planifikuar, duke e cilësuar atë si një ‘uragan lirie’.

Në fjalën e tij, Berisha u shpreh se, sipas tij, qeveria nuk ka arritur të frenojë mobilizimin qytetar, pavarësisht presioneve dhe kushteve të vështira atmosferike. ‘Narkodiktatori është tmerruar. As temperaturat më të larta, as terroret policeske më të egra, as kërcënimet e pafundme nuk mposhtën dot qëndresën e qytetarëve shqiptarë kundër Edi Ramës,’ deklaroi kreu i PD-së.

Sipas Berishës, protesta është kthyer në një lëvizje që po sfidon qeverinë, ndërsa akuzoi kryeministrin se në daljet e tij publike shmang problemet reale të qytetarëve. ‘Çdo orë, çdo ditë që kalon fakton se Edi Rama nuk ka të ardhme. Në të gjitha fjalimet e tij nuk ekziston qytetari, nuk ekziston Shqipëria dhe nuk ekzistojnë problemet madhore të këtij vendi,’ tha ai.

Lideri i opozitës Sali Berisha foli edhe për çmimet të karburanteve, duke u shprehu se, Shqipëria vijon të ketë një nga naftat më të shtrenjta në rajon. Ai krahasoi çmimet aktuale me vitin 2008, duke argumentuar se, megjithëse atëherë çmimi i naftës në bursat ndërkombëtare ishte shumë më i lartë, konsumatorët shqiptarë paguanin më pak. ‘Nafta ka arritur në Shqipëri 2300 lekë, ndërkohë që në bursë është 85-90 dollarë. Në vitin 2008, kur nafta në bursë ishte 147 dollarë, në Shqipëri shitej me 1600 lekë,’ u shpreh Berisha, duke akuzuar qeverinë për taksim të lartë dhe mungesë mbështetjeje për fermerët.

Gjatë bashkëbisedimit, kreu demokrat Sali Berisha komentoi edhe reformën territoriale, duke kundërshtuar planin e mazhorancës për riorganizimin e njësive vendore. Ai e cilësoi reformën e vitit 2014 si një ndër shkaqet kryesore të shpopullimit të zonave rurale dhe bëri thirrje për reagim qytetar. ‘Ftoj të gjithë qytetarët e njësive të qeverisjes vendore, që në hartën e Partisë Demokratike është vendosur të rikthehen, të ngrenë zërin e tyre dhe të mos e lejojnë fatin e tyre te një njeri që e ka shndërruar Shqipërinë në narkomafie,’ deklaroi Berisha.

Gjatë fjalës së tij, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha u bëri apel demokratëve, por edhe qytetarëve shqiptarë brenda dhe jashtë vendit, që të marrin pjesë në protestën e organizuar në Tiranë. ‘Sot shqiptarë nga mbarë bota do jenë të pranishëm në bulevardin e protestës, në uraganin e lirisë. Ftoj të gjithë demokratët të jenë pjesë e këtij uragani,’ tha Berisha. Ai shtoi se sakrifica e protestuesve duhet të shërbejë si frymëzim për çdo qytetar.

‘Ftoj çdo demokrat dhe demokrate, çdo qytetar dhe qytetare t’i bashkohet kësaj proteste. Sakrifica e përnatshme e atyre mijëra të rinjve dhe qytetarëve për idealet e lirisë duhet të jetë frymëzuese për çdo shqiptar që e do Shqipërinë,’ u shpreh kryetari i Partisë Demokratike gjatë bashkëbisedimit me qytetarët.

Te tjera

Lajme te tjera