Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla vlerësoi një sipërmarrje të agropërpunimit në Kavajë si një shembull të suksesshëm të bashkëpunimit mes industrisë përpunuese dhe fermerëve, që ka mundësuar rritjen e eksporteve të produkteve shqiptare në tregjet ndërkombëtare.
Në një postim në rrjetet sociale, Salla theksoi se kjo sipërmarrje, e cila prej më shumë se dy dekadash i jep vlerë prodhimit vendas përmes agropërpunimit, ka zgjeruar kapacitetet falë investimeve në teknologji, mbështetjes nga programet e qeverisë dhe bashkëpunimit të ngushtë me fermerët.
“Falë investimeve në teknologji, mbështetjes nga programet e qeverisë dhe bashkëpunimit me fermerë si Xhuljan Doda, kjo sipërmarrje ka rritur kapacitetet përpunuese dhe sot eksporton produktet shqiptare në dhjetëra tregje ndërkombëtare”, u shpreh ministri.
Fermeri Xhuljan Doda tha se kultivon domate në një sipërfaqe prej 20 hektarësh dhe këtë sezon pret të sigurojë rreth 800 tonë prodhim, i cili shkon si lëndë e parë për industrinë përpunuese të salcës.
Ai vuri në dukje se bashkëpunimi gjashtëvjeçar me kompaninë përpunuese ka krijuar siguri për shitjen e prodhimit dhe ka kontribuar në zgjerimin e eksporteve.
“Prej gjashtë vitesh bashkëpunojmë me kompaninë përpunuese. Produktet si salcat, turshitë dhe reçelrat eksportohen në 37 vende të botës, sipas standardeve më të mira”, tha Doda.
Ministri nënvizoi se mbështetja e agropërpunimit mbetet një prioritet për qeverinë, duke e konsideruar atë një hallkë kyçe për rritjen e vlerës së shtuar të prodhimit bujqësor, zgjerimin e eksporteve dhe rritjen e të ardhurave të fermerëve shqiptarë.
