E premte, 31 Korrik, 2026

Eric Wendt drejt Tiranës, Senati Amerikan miraton procedurën për votimin e tij si ambasador

Share

Senati i Shteteve të Bashkuara ka miratuar një rezolutë, e cila autorizon shqyrtimin dhe votimin në bllok të 74 emërimeve të administratës amerikane që ndodhen në Kalendarin Ekzekutiv, mes tyre edhe kandidatura e Eric Wendt për ambasador të SHBA-së në Shqipëri.

Rezoluta u miratua të enjten me 50 vota pro dhe 47 kundër, sipas ndarjes partiake. Tre senatorë – Marsha Blackburn, Mitch McConnell dhe Thom Tillis, nuk morën pjesë në votim.

Në listën e emërimeve të përfshira në rezolutë figuron edhe Eric Wendt, i nominuar për postin e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Shqipërisë.

Megjithatë, miratimi i Rezolutës S.Res.817 nuk përbën konfirmimin e tij si ambasador. Rezoluta ka karakter procedural dhe i jep Senatit mundësinë që këto emërime të shqyrtohen dhe të votohen së bashku, në vend që secili të trajtohet veçmas.

Nëse kandidatura e tij miratohet, Wendt do të bëhet ambasadori i parë i SHBA-së në Tiranë pas largimit të Yuri Kim në qershor 2023. Që atëherë, ambasada është drejtuar nga të ngarkuarit me punë, ndërsa emërimet e mëvonshme nuk arritën të finalizoheshin.

Mungesa e një ambasadori të plotë për një periudhë kaq të gjatë është parë nga shumë vëzhgues si një periudhë në të cilën ndikimi i drejtpërdrejtë diplomatik amerikan në politikën shqiptare ka qenë më i kufizuar. Në këtë kontekst, emërimi i një figure me profil të lartë ushtarak dhe përvojë në strukturat e NATO-s shihet si një sinjal se Uashingtoni synon të rrisë angazhimin e tij në Shqipëri.

Gjatë seancës dëgjimore më 20 maj, Wendt theksoi mbështetjen për SPAK-un, luftën kundër korrupsionit dhe goditjen ndaj krimit të organizuar. Ai vlerësoi institucionin e Prokurorisë së Posaçme si të pavarur dhe apolitik, duke premtuar mbështetje për ruajtjen e këtij statusi.

Sipas tij, bashkëpunimi midis SPAK dhe agjencive amerikane të zbatimit të ligjit, përfshirë FBI-në, DEA-n dhe Departamentin e Drejtësisë, ka dhënë rezultate konkrete në hetimet ndërkombëtare kundër grupeve kriminale.

Profili i Wendtit e dallon atë nga shumica e diplomatëve tradicionalë. Ai shërbeu më shumë se 34 vjet në ushtrinë amerikane, duke përfshirë më shumë se tre dekada në forcat speciale “Beretat e Gjelbra”, dhe gjithashtu drejtoi Komandën e Operacioneve Speciale të NATO-s. Karriera e tij përfshin misione në Irak, Afganistan, Filipine, Kore dhe Lindjen e Mesme.

Te tjera

Lajme te tjera