E enjte, 30 Korrik, 2026

Zv/ministrja Tana Kika: Bashkëpunimi i ngushtë me prodhuesit dhe ekspertët po forcon hapat e Shqipërisë drejt përmbushjes së standardeve evropiane të sigurisë ushqimore

Share

Zv/ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Tana Kika, reagoi dje në rrjetet sociale, ku ndau detaje nga takimi i zhvilluar në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në kuadër të Platformës së Partneritetit për Integrimin Evropian (PPIE). Ajo theksoi se takimi për Kapitullin 12 – Siguria Ushqimore, Politikat Veterinare dhe Fitosanitare u karakterizua nga pjesëmarrje e lartë dhe diskutime konstruktive mes institucioneve, ekspertëve dhe grupeve të interesit. Sipas Kikas, dialogu dhe bashkëpunimi janë thelbësore për përshpejtimin e procesit të integrimit evropian dhe ndërtimin e një sistemi modern të sigurisë ushqimore. Ajo bëri të ditur se konsultime të tilla do të vijojnë edhe në muajt në vijim, me synimin për të zgjeruar përfshirjen e të gjithë aktorëve në këtë proces.

Postimi i zv/ministres Tana Kika

“Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural-Dialog i hapur për një Shqipëri më pranë Bashkimit Evropian! Sot zhvilluam me sukses takimin e Platformës së Partneritetit për Integrimin Evropian (PPIE) për Kapitullin 12 – Siguria Ushqimore, Politikat Veterinare dhe Fitosanitare, i cili u karakterizua nga një përgjigje pozitive dhe interes dhe pjesëmarrje shumë e lartë nga prodhuesit, përpunuesit, ekspertët, organizatat e shoqërisë civile, partnerët privatë e publik dhe grupet e interesit. Diskutimet ishin të hapura, konstruktive dhe të orientuara drejt zgjidhjeve konkrete, duke trajtuar çështje kyçe si programet e survejancës dhe çrrënjosjes së sëmundjeve, kontrollet zyrtare në pikat e kontrollit kufitar dhe mbrojtjen e shëndetit të bimëve. Kontributet dhe rekomandimet e pjesëmarrësve dëshmuan se procesi i integrimit evropian është më i fortë kur ndërtohet mbi partneritet, ekspertizë dhe dialog të vazhdueshëm. Procesi i përafrimit me acquis të Bashkimit Evropian nuk është vetëm një proces ligjor apo administrativ. Ai kërkon mbi të gjitha ndërgjegjësimin, përfshirjen dhe angazhimin e të gjithë aktorëve që do të zbatojnë dhe do të përfitojnë nga këto reforma. Vetëm përmes një kulture të përbashkët bashkëpunimi mund të ndërtojmë institucione më të forta, standarde më të larta dhe një sistem modern të sigurisë ushqimore në shërbim të qytetarëve. Platforma e Partneritetit për Integrimin Evropian dhe konsultime të tilla do të vijojnë me intensitet duke nisur nga java e parë e muajit shtator 2026, me qëllim forcimin e dialogut, rritjen e ndërgjegjësimit dhe përfshirjen sa më të gjerë të të gjithë aktorëve në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. Faleminderit stafit të Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe gjithë pjesëmarrësve! Së bashku ndërtojmë një Shqipëri evropiane”, shkruan zv/ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Tana Kika.

Te tjera

Lajme te tjera