E premte, 24 Korrik, 2026

“Territorialja” bllokon seancën, rrëzohet kërkesa e PD për zgjatjen e afatit! Opozita zapton foltoren, Bardhi i hedh ujë Ramës! PS kalon direkt në votim

Share

Rrëzimi i kërkesës së demokratëve për zgjatjen e afatit të Reformës Territoriale çoi në përplasje të ashpra në parlament. Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi u detyrua të ndërpriste disa herë seancën për shkak të bllokimit të foltores nga deputetët e opozitës, të cilët nuk lejuan Arbian Maznikun të lexonte raportin e hartuar nga ekspertët e mazhorancës.

Kërkesën e demokratëve për shtyrje të afatit e argumentoi bashkëkryetari Luçiano Boçi i cili raportin e socialistëve e konsideron të paligjshëm.

“Jemi në një veprim të njëanshëm politik, të parapërgatitur. Unë e kam paralajmëruar, që nuk duan të shkojnë konsensus, kanë një projekt për të ulur dhe shkrirë bashkitë, për të vazhduar shpopullimin, për të mos i përfaqësuar njerëzit në pushtetin vendor. Vetëm për të realizuar një qëllim politik”, tha Boçi.

Por mazhoranca e bëri të qartë se nuk ka kohë për të humbur, pasi harta e re duhet të jetë gati për zgjedhjet vendore të 2027-ës.

“Kërkesa e parashtruar i ngjan kërkesës së një udhëtari që ka humbur trenin një javë më parë dhe do të ikë me trenin që ka humbur. Gjithë Shqipëria e di që sot Kuvendi do të dëgjojë gjetjet nga grupet e PS dhe PD. Kjo nuk do të thotë që sot do të miratohet reforma e re. Më pas, gjithë palët dhe çdo deputet nëse do, mund të vijë me propozimet e veta. Ky komision nuk mund të zgjatet më, e ka përfunduar mandatin e vet”, tha Balla.

Kuvendi nuk gjeti qetësi as pas ndërprerjes 4 herë të seancës. Madje ardhja e kryeministrit Rama në sallë e përkeqësoi situatën dhe ashpërsoi retorikën e opozitës.

Opozita vijonte të qëndronte në këmbë e të mbante foltoren e bllokuar, ndaj si gjithmonë në raste të ngjashme socialistët kërkuan që të nisin direkt me procesin e votimit.

Seanca pritej të ishte maratonë pasi ishte parashikuar me një rend të ngjeshur dite, por nuk arriti as në diskutime. Pas 5 orësh debat pa u futur në asnjë moment në rendin e ditës, 7 projektrezoluta të institucioneve kushtetuese, 2 akte normative dhe 15 projektligje u votuan nga mazhoranca mes kaosit dhe thirrjeve të opozitës në foltore për dorëheqjen e kryeministrit Rama.

Gazment Bardhi u përjashtua nga seanca pasi hodhi ujë në drejtim të shefit të qeverisë Rama.

Ra në sy mos pjesëmarrja në votim e dy deputetëve socialistë, Braçe dhe Spiropali, për aktin normativ që i dha 4.3 mln euro këngëtarit amerikan Kanye West.

Ndryshe nga ç’ishte parashikuar Kuvendi nuk i mbylli punimet këtë të enjte, por miratoi mbajtjen e një tjetër seancë të enjten e ardhshme të 30 korrikut.

Te tjera

Lajme te tjera