Një tjetër hap i rëndësishëm drejt forcimit të sigurisë ushqimore dhe përafrimit me standardet e Bashkimit Evropian është hedhur përmes miratimit unanim të projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit Teknik ndërmjet Shqipërisë dhe Gjermanisë. Zëvendësministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Tana Kika, prezantoi dje në komisionet parlamentare rëndësinë e projektit “EU4FoodSafety dhe ndikimin e tij në modernizimin e sistemit ushqimor. Reforma synon të rrisë kapacitetet institucionale, të përmirësojë kontrollet zyrtare dhe të mbështesë fermerët e bizneset shqiptare në përmbushjen e standardeve evropiane. Ky zhvillim përbën një investim afatgjatë për mbrojtjen e konsumatorit, konkurrueshmërinë e produkteve shqiptare dhe rrugëtimin e vendit drejt integrimit evropian.
Postimi i zv/ministres Kika:
“Sot, në Komisionet Parlamentare për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural dhe në Komisionin Parlamentar për Evropën dhe Punët e Jashtme pata nderin të relatoj projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit Teknik ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Federale të Gjermanisë, e cila krijon bazën për zbatimin e projektit #EU4FoodSafety. Projektligji u miratua unanimisht, duke dëshmuar një mbështetje të gjerë institucionale e politike për një reformë që prek drejtpërdrejt të ardhmen e sektorit agro-ushqimor shqiptar. Siguria ushqimore është shumë më tepër sesa kontrolli i ushqimit. Ajo është mbrojtje e shëndetit të qytetarëve, garanci për konsumatorin, mbështetje për fermerët dhe biznesin, rritje e konkurrueshmërisë së produkteve shqiptare dhe një kusht themelor për integrimin evropian. Përmes këtij projekti do të forcojmë kapacitetet institucionale, do të modernizojmë sistemin e kontrollit zyrtar, laboratorët, Pikat e Kontrollit Kufitar, do të përmirësojmë legjislacionin dhe zbatimin e tij në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, si edhe do të mbështesim operatorët e biznesit ushqimor për të përmbushur standardet që u hapin rrugën tregjeve evropiane. Si Mjeke Veterinere, Akademike dhe Zëvendësministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, besoj se investimi më i rëndësishëm që mund të bëjmë është ai teknik, nëpërmjet ndërtimit të institucioneve të forta, bazuar në ekspertizë, shkencë dhe standarde evropiane. Vetëm kështu ndërtojmë një sistem të qëndrueshëm të sigurisë ushqimore, që mbron shëndetin publik, forcon ekonominë rurale dhe rrit besimin ndaj produkteve “Made in Albania”. Falënderoj anëtarët dhe deputetët e nderuar të dy Komisioneve për diskutimin profesional dhe mbështetjen unanime! Vazhdojmë me vendosmëri punën për reformat, për të forcuar Kapitullin 12 dhe për ta afruar çdo ditë e më shumë Shqipërinë me familjen evropiane”, shkroi dje në rrjetet sociale zv/ministrja Kika.
