E hënë, 27 Korrik, 2026

Shqipëria nuk është pronë private, koha e përgjegjësisë politike dhe për t’i hapur krahun ndryshimeve qeverisëse

Share

Nga Tritan Kalo

Ritrajtimi i të njëjtës temë si në fillimet e Protestës popullore… Më mirë që të ndodhë edhe pse disi vonë, se sa që të mos ndodhë kurrë…. Nobelisti Paulo Coelho na iluminon prej dhjetra vitesh, se: “Çfarë është suksesi? Është të qenurit i aftë të shkosh në shtrat çdo natë me shpirtin tënd në Paqe”…. A ndodh kjo gjë me ata politikanë të të gjitha niveleve të të gjitha forcave politike djathtas e majtas spektrit të tyre, të cilët për 35 vite pak nga pak ja rrënuan themelet mundësive mbrothësuese Shqipërisë së këndej Drinit, në mënyrë harmonike jo me disnivele të thukta mes shtresave shoqërore dhe për të gjithë frymorët shqipfolës të saj, unë besoj që JO… “Gjithmonë dëgjo dy herë, së pari atë çka thuhet dhe më pas se kush e ka thënë atë” – na këshillon John Sherman Cooper…

Populli ynë ka mëse 35 vite i cili ka dëgjuar  më shumë se dy herë, ata që e kanë qorollepsur këtë vend në buzë të greminës, si dhe kanë bërë atë që gjysma e tij të marrin udhët e thejqafjes emigratore, për mundësi më të mira jetese si dhe për mundësi më objektive jo nepotike apo partiake, për të ecur në jetën profesionale… Kupa e zullumeve tuaja si klasë/kastë politike e tranzicionit DEMON-KRATIK të pas-zgjedhjeve të para pluraliste të 31.03.1991, ka kohë që ka filluar të derdhet… Andaj për të mirën tënde si individ por edhe të mirën e vendit, z. Edi Rama, mik i imi i Pallatit 18, te Rruga “Muhamet Gjollesha” ku ju keni lindur dhe unë jetoj prej Dhjetorit të vitit 1962, jep dorëheqjen pa e rënduar më shumë keqqeverisjen e vendit…

Ju siguroj plotësisht se asgjë nuk do të ndodhë dhe bashkë me ty merr njëherazi edhe Sali Berishën duke u larguar nga skena politike shqiptare, si dhe duke marrë të dy me vete e zhvlerësuar edhe Marrëveshjen e të dy partive të PD-PS të 21.04.2008, një marrëveshje plotësisht zhbërëse të DEMOKRACISË reale si dhe ndryshimet Kushtetuese të bëra mbështetur në të, duke i dhënë sistemit tonë socio-politiko-ekonomik fytyrën e DEMON-KRACISË, fytyrën e një sistemi Partitokratik/Kryetarokratik/Autokratik… Kurrë të mos e harroni faktin JU drejtuesit e Partive se në fund të fundit, si PS edhe PD nuk janë pronat tuaja private, dhe aq më shumë nuk janë pronë private as SHQIPËRIA edhe vetë DEMOKRACIA… Çka po ndodh prej mëse shumë ditësh nuk është aspak një revoltë e organizuar nga greku, nga sërbi, nga rusi apo nga irani zoti KM, por ajo është një Protestë shumë xhenuine, sepse “thika u ka vajtur të gjithve këtu në Shqipërinë e këndej Drinit në palcë”, jo vetëm shumicës së pensionistëve tanë të vobektë por të gjithë atyre jo dorëfutës në thesin e buxhetit publik të vendit, edhe sepse rinia tashmë po e kërkon ngultazi të rrënjëzohet aty ku i ka lerë koka, në Mëmëdhe…

Për 35 vite ky palo sistem socio-ekonomiko-politik nuk mundi me keqdashësi që të përcaktoj një minimum jetik, dhe bazuar mbi këtë minimum jetik të mirëpërcaktonte pensionet, pagat e të gjithë atyre që frymojnë në Shqipërinë e këndej Drinit… Mos ja kij gajlen KM sigurisë së vendit tonë, sepse me shumë siguri që do të mundet të dalin “Mujo Ulqinakë të tjerë”, për të mbrojtur SHQIPËRINË edhe pse në atë kohë të pushtimit fashist italian të 7.04.1939 i vetëshpalluri MBRET, “i veshi opingat” jo për të dalë në mal sikundër ai premtoj si edhe ju po na premtoni për tu surrelizuar rrëzë malit të Dajtit përfundimisht, POR i veshi ato vetëm për të ikur në Greqi dhe aspak për të mbrojtur e dalë zot vendit… Ktheni me kujdes kokën të shihni se çfarë i ndodhi Kryeministrit italian Betino Kraksi, kryeministrit socialist më jetëgjatë të Italisë fqinjë…. Zullumet e tija klepto-korruptive e sikterisën në Tunizi, ku ai edhe i mbylli sytë përgjithmonë pa mundur më të rikthehet në vendin e tij, aq më keq PS-së italiane pak nga pak pas ikjes së tij i ka hupur vula… “Bashkëfajtorë dhe Bashkëvuajtës” jo djallëzisht u hodh si parullë drejtuese e me fillimet e DEMON-KRACISË, duke bërë të mundur që të ndotë sado pak pothuajse një pjesë të madhe të shqiptarëve:

– me përfshirjen e tyre në rrëmbimin e tokave,

– me shkatërimin e qindra veprave të ndërtuar me gjak e djersë nga të gjithë shqiptarët, përfshirë edhe të burgosurit e ndërgjegjes apo të burgosurit politik sikundër ata përmënden më shumë,

– me rrënimin e mekanizmave mbrojtës dhe sigurues të vendit,

– me tkurjen cilësore të arsimit dhe të shëndetsinë publike,

– me dëmtimin e infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore,

– me rrënimin e veprave kulluese dhe ujitëse në bujqësi, etj…

Në vijimësi në këto 35 vite DEMON-KRACI:

– vendi ynë po zbrazet dita ditës,

– pronat kurrë nuk vajtën te i zoti,

– u legalizuan “pushtimet e tokës dhe i pronave”,

– u shkatërruan përrenjtë dhe lumenjtë për hidrocentrale të vegjël fitimprurëse, për pak pronarë por rrënuese të burimeve ujore,

– kostoja e jetesës sa vjen e rritet,

– cilësia dhe shpejtësia e ofrimit të shërbimeve shtetërore çalon shumë,

– drejtësia sa vjen e i largohet zgjidhjes së çështjeve juridike të popullit,

– cilësia e dijesimit po zhbëhet,

– sikundër po zhbëhet edhe shtrirja horizontale e shërbimit shëndetësor,

– një infrastrukturë që po ngrihet me çmime marramendëse,

– një bregdet që po betonizohet,

– një trashëgimi historike e cila po fundoset nën beton,

– oborret qeverisëse të mbushura me anonimë,

– një SPAK që është bërë plotësisht KAPS përkundrejt shkatërruesve të Shqipërisë së pas 31.03.1991 dhe ndaj pasurive financiare dhe të paluajtshme të tyre, duke u marrë me çështje teje periferike të klepto-korrupsionit 35 vjeçar,

– një PARLA-PA-MENT ku përpos debateve shterpë dhe hosanabërjeve ndaj lidërve partiakë, pak ose apak cilësi intelektuale legjislative të ofron….

DERI MË TASH ne si popull vetëm HESHTËM, ndaj tashmë kur “këto plagë të mahisura po shpërthejnë”, kur populli u derdh në rrugë vetëm pas “shpimit të njërës prej plagëve të qelbëzuara, ZVËRNECIT”, dhe ai filloj që të kërkojë në plan më të gjerë edhe NDRYSHIMIN thelbësor të KLASËS/KASTËS politike të vendit, DUHET që të mos e ulë tempin si dhe zhbërjen e kësaj proteste sikundër fatkeqësisht ndodhi me Lëvizjen studentore të 2018, sapo në të futën duart përçarëse drejtuesit të partive politike të kohës si dhe levat e tyre rinore… INTELEKTUALËT që vërtetë e meritojnë këtë emër më së paku duhet të mos vijojnë mënjanimin dhe konformizmin e tyre si deri më tash, për hir të pragmatizmit të tyre karierëbërës dhe materialo-financjaropërftues, në të kundërt le të pretendojnë në vijim të jenë sikundër edhe janë profesionistë të mirë, POR jo intelektualë…

Hedhja baltë mbi këtë protestë popullore, përgojimi dhe përbaltja e organizatorëve si dhe politizimet e pa vënda të saj, implikimet në të të huajve qofshin këto edhe të rreme si pretendime, daljet e përminutëshme në TV dhe në podkaste i “shërbëtorëve mediatikë” të të dy Partive PS dhe PD, kanë për qëllim ti marrin frymën kësaj lëvizje si dhe ta relativizojnë atë gradualisht, ose edhe më keq që ta shpallin atë si një lëvizje në shërbim të keqdashësve ndaj sovranitetit të vendit dhe të ardhmërisë së tij… DHE VJEN NJË DITË sikundër edhe erdhi që zemërimit popullor ti mbrijë pragu i vlimit… Këtij VLIMI nuk duhet ti vijë fundi por ai vetëm e vetëm duhet të vijojë, për aq kohë sa në Shqipërinë e këndej Drinit, kanë mbetur ende Arbër/Shqiptarë…

ZHVILLIMIN e vendit e duan të gjithë, por jo në mënyrë klepto-korruptive të tij në dobi të një grushti pusht-shtetarësh, të shërbëtorëve të tyre në oborrin e pusht-shtetit si dhe të mbështetësve të tyre ndërkombëtar po aq korruptivo-kleptokratik sa vetë ata… MOS i jipni qëllimtazi nuanca të ndërhyrjeve ndërkombëtare asaj se çfarë po ndodh në këtë Protestë, sepse ajo e ka vulën e vetme “të ngjyer në bojën e nxitjes së saj” kryesisht te klepto-korrupsioni i pusht-shtetit të sotëm dhe të deritashëm DEMON-KRATIK…

“KOHA është e maskarenjve,

Por ATDHEU i Shqiptarëve” (A.A.)

Kurrë të mos nënvlerësojmë ose aq më keq që të harrojmë, se:

– kur çdo vit rreth 1 miliard euro shpërdorohen sipas KLSH-së nga Buxheti i Shtetit,

– kur kostoja e ndërtimit të infrastrukturës është më e shtrenjta në botë,

– kur betonizimi është kryefjala e ndërtimeve ndërqytetase dhe në bregun e detit nga grykëderdhja e Bunës deri në kanalin e Vivarit që lidh Liqenin e Butrintit me detin,

– kur evazioni fiskal është kryefjala e veprimtarisë ekonomike oligarkike,

– kur pasuritë nëntokësore si nafta, kromi e bakri pak ose aspak ndikojnë në shëndoshjen e Buxhetit publik, nuk është aq e vështirë që të gjinden ato 4.5-5 miliardë euro të plotë reklamuara dhe të dëshirueshme për zhvillimin ekologjik të Zvërnecit, Lagunës së Nartës dhe jo vetëm…

MJEDISI = Nëse nuk vijon të lëndohet edhe më tej, me shumë siguri, ai paraqet një: Mundësi + Jetësore + Energjitike + Domosdoshmërie + Investimi + Sigurie + Intensive, që nëse nuk vijon të lëndohet edhe më tej ky Mjedis, ai me shumë siguri mundëson një të tashme dhe të ardhme dinjitoze për Arbërit/Shqiptarët, jo vetëm të Shqipërisë së këndej Drinit… LËNDIMI apo edhe më keq RËNIMI i MJEDISIT është me pasoja të pakthyeshme afatgjata si Lokalisht edhe Kombëtarisht… KRIMET MJEDISORE përbëjnë një Vepër të Rëndë dhe Penalisht të ndëshkueshme, sepse Natyrës ju deshën miliona vjet që të krijonte këtë mrekulli me emrin Shqipëri…

SHQIPËRIA dhe SHQIPTARIZMA mbi të gjitha!!!  Kurdoherë dhe në çdo rrethanë kur vendi ka qenë në rrezik, POPULLI ynë ka mundur disiqysh që të reagojë i prirë vetëm nga Flamuri ynë kombëtar, nga Ideali i Bashkimit Kombëtar, një Popull i cili po hedh hapin e tij nën tingujt e Himnit të Flamurit:

“Se ZOTI vetë e tha me gojë,

Që kombe shuhen përmbi dhe,

Por Shqipëria do të rrojë,

Për të, për të luftojmë NE” (A.S. D.).

Together forever and ever! Dr. Tritan Kalo, specialist i Sëmundjeve Infektive e Tropikale, i Reanimacionit mjeksor, Mjeshtër i Madh, Anti-konformist dhe Mantelbardhë.

Te tjera

Lajme te tjera