Zëvendësministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Tana Kika, priti në një takim zyrtar drejtues të lartë dhe përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Kosovës. Takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe konstruktive, me fokus forcimin e bashkëpunimit dypalësh në sektorin agro-ushqimor. Gjatë bisedimeve u theksua rëndësia e koordinimit institucional dhe e shkëmbimit të përvojave në fushat e bujqësisë, sigurisë ushqimore, veterinarisë dhe fitosanitetit. Zëvendësministrja Kika nënvizoi se partneriteti ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës mbetet një shtyllë e rëndësishme për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit dhe avancimin e integrimit evropian të të dy vendeve.
Postimi i zv/ministres Kika
Sot pata kënaqësinë të mirëpres në një takim shumë të frytshëm drejtues të lartë dhe përfaqësues të Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Kosovës, në një atmosferë të hapur, vëllazërore dhe me një frymë të qartë bashkëpunimi për të ardhmen.
Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës janë shumë më tepër se marrëdhënie mes dy shteteve. Ato mbështeten mbi lidhje të forta historike, kombëtare, kulturore dhe njerëzore, të cilat na bëjnë partnerë natyralë në çdo sfidë dhe në çdo objektiv të përbashkët. Shqipëria ishte ndër vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës dhe që prej asaj dite ka qenë një mbështetëse e palëkundur e shtetndërtimit, konsolidimit institucional dhe rrugëtimit të saj euroatlantik.
Gjatë takimit teknik diskutuam mbi rëndësinë e thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ndërinstitucional, me fokus të veçantë në sektorët që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve tanë. Bujqësia, siguria ushqimore, veterinaria, fitosaniteti, lehtësimi i shkëmbimeve tregtare, unifikimi i tregjeve dhe shkëmbimi i përvojave janë fusha ku mund dhe duhet të ecim edhe më shpejt së bashku.
Jam e bindur se ndarja e eksperiencave, koordinimi i politikave dhe zbatimi i marrëveshjeve të përbashkëta do të krijojnë mundësi të reja për fermerët, sipërmarrësit dhe të gjithë qytetarët dhe kobsumatorët e dy vendeve tona, duke sjellë zhvillim ekonomik, më shumë investime dhe një standard më të lartë jetese.
Po aq i rëndësishëm mbetet edhe angazhimi ynë i përbashkët për integrimin evropian. Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në çdo hap të rrugëtimit të saj drejt familjes evropiane dhe euroatlantike, duke besuar se një rajon më i integruar, më i qëndrueshëm dhe me institucione të forta është në interesin e të gjithë qytetarëve tanë.
Bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Kosovës është një partneritet strategjik që forcohet çdo ditë përmes dialogut, besimit dhe punës së përbashkët. Nëntë mbledhjet e përbashkëta ndërqeveritare dhe marrëveshjet e shumta të nënshkruara ndër vite janë dëshmi konkrete e këtij angazhimi dhe një bazë e fortë për të ndërtuar projekte të reja me ndikim real.
Besoj se kemi ende shumë potencial për të shfrytëzuar. Duke punuar së bashku, me vizion dhe përgjegjësi, mund të ndërtojmë politika më efikase, ekonomi më të forta dhe një të ardhme edhe më të mirë për qytetarët tanë.
Shqipëria dhe Kosova do të vazhdojnë të ecin krah për krah, të bashkuara nga historia, të orientuara nga e ardhmja dhe të udhëhequra nga një synim i përbashkët: zhvillimi, mirëqenia dhe integrimi i plotë në familjen evropiane.
