Zëvendësministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Kika, paraqiti dhe mbrojti sot në Komisionin Parlamentar për Ekonominë, Financat dhe Punësimin projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit Teknik me Gjermaninë. Ky projektligj, i hartuar në kuadër të projektit “EU4Food Safety”, shënon një hap konkret drejt forcimit të sistemit të sigurisë ushqimore në Shqipëri. Përmes këtij partneriteti strategjik, vendi do të përfitojë ekspertizën më të mirë evropiane për përafrimin e legjislacionit dhe modernizimin e laboratorëve e pikave të kontrollit kufitar. Ky investim i rëndësishëm do të rrisë standardet e shëndetit publik dhe do të përshpejtojë ndjeshëm procesin e integrimit evropian të vendit tonë.
Postim i plotë i zv/ministres Kika
Sot, në Komisionin Parlamentar për Ekonominë, Financat dhe Punësimin, pata nderin të paraqes dhe të mbroj projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit Teknik ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Federale të Gjermanisë, në kuadër të projektit EU4Food Safety (EU4FS).
Ky nuk është thjesht një akt ratifikimi. Është një hap konkret drejt forcimit të sistemit shqiptar të sigurisë ushqimore dhe përshpejtimit të procesit të integrimit evropian.
Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje dhe mbështetjes së Bashkimit Evropian, Republikës Federale të Gjermanisë dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë, Shqipëria do të përfitojë ekspertizën më të mirë evropiane për:
përafrimin e legjislacionit me acquis të BE-së;
forcimin e institucioneve dhe kapaciteteve administrative;
modernizimin e sistemit të kontrollit zyrtar, laboratorëve dhe pikave të kontrollit kufitar;
rritjen e standardeve të sigurisë ushqimore, në mbështetje të fermerëve, operatorëve të biznesit ushqimor dhe konsumatorëve shqiptarë.
Si Zëvendësministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe negociatore për Kapitullin 12, besoj se reformat më të rëndësishme ndërtohen mbi partneritete të forta, ekspertizë teknike dhe institucione të afta për të zbatuar standardet evropiane.
Falenderoj anëtarët e Komisionit për diskutimin konstruktiv dhe mbështetjen ndaj një marrëveshjeje që investon në sigurinë ushqimore, shëndetin publik, konkurrueshmërinë e sektorit agro-ushqimor dhe të ardhmen evropiane të Shqipërisë.
Drejt Evropës, me reforma konkrete dhe standarde që garantojnë më shumë siguri, besim dhe zhvillim për qytetarët tanë.
