Nga Rigels Seliman
Ngjarja e ndodhur pranë Ambasadës së Izraelit në Tiranë, ku protestues të maskuar hoqën dhe grisën flamurin e Izraelit, është një akt i papranueshëm dhe i dënueshëm që cenon vlerat më të mira të shoqërisë shqiptare. Ky veprim nuk përfaqëson popullin shqiptar, i cili njihet në mbarë botën për mikpritjen, tolerancën dhe mbrojtjen që u ka ofruar hebrenjve në periudhat më të errëta të historisë.
E drejta për të protestuar është një e drejtë demokratike, por ajo nuk mund të përdoret si justifikim për akte urrejtjeje, përdhosje simbolesh shtetërore apo sulme ndaj misioneve diplomatike. Izraeli është një shtet mik dhe marrëdhëniet mes dy popujve tanë janë ndërtuar mbi respekt, besim dhe solidaritet. Dënoj me forcën më të madhe këtë incident të turpshëm dhe çdo shfaqje antisemitizmi apo gjuhe urrejtjeje.
Autorët e këtij veprimi duhet të identifikohen dhe të përballen me forcën e ligjit, në përputhje me legjislacionin shqiptar. Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin kur cenohen rendi publik, siguria dhe respekti ndaj përfaqësive diplomatike. Shqipëria duhet të mbetet një vend i paqes, tolerancës dhe respektit për të gjithë popujt. Shpreh solidaritetin tim me popullin e Izraelit dhe me të gjithë ata që besojnë në bashkëjetesën paqësore, respektin reciprok dhe refuzimin e urrejtjes. Rroftë Izraeli dhe populli i Izraelit!
