Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka zhvilluar një takim me fermerët në zonën e Cërrikut. Gjatë fjalës së tij, Berisha u shpreh se, buxheti i qeverisë Rama për fermerët është qesharak. Sipas tij, nga 52 milionë që është caktuar në buxhet, 20 zhduken rrugës, ndërsa buxheti real për bujqësinë është 30 mln euro. ‘Në shifra është 52 milionë, por atë pjesë e merr burokracia dhe e merr administrata. Fermerëve u ngel për të gjithë veprimtaritë e tyre, u ngelen 32 milionë euro. Nuk ka shifër më qesharake. Absolutisht çdo fermer tjetër jashtë kufijve të këtij vendi, pa zbritur në Greqi se atje është krejt tjetër, por duke marrë Maqedoninë, Kosovën, Malin e Zi, kanë të paktën gjashtë herë më shumë subvencione.’, tha Berisha.
Gjatë bashkëbisedimit me fermerët në Cërrik, kryedemokrati Sali Berisha foli edhe për mungesën e subvencionimit të fermerëve nga ana e qeverisë. Sipas tij, fermeri shqiptar është sot më i braktisuri nga shteti i tij. Berisha përmendi edhe Ballkanin e Hapur dhe marrëveshjet e nënshkruara me Serbinë, që bëjnë të mundur futjen në vendin tonë të prodhimeve me çmime mjaft të ulëta, që godasin fermerin dhe prodhuesin shqiptar. Sot jam këtu për t’ju zotuar se një nga aktet e para, anulimi përfundimtar i çdo akti të Ballkanit të Hapur. Po! Megjithatë nisma është bllokuar, por marrëveshjet vazhdojnë. Nuk janë bllokuar marrëveshjet, të cilat, të cilat dëmtojnë palcërisht prodhimin tonë.’, tha Berisha.
Lideri i opozitës Sali Berisha u ka bërë thirrje të rinjve shqiptarë kudo që janë që të mblidhen në Tiranë ku qytetarët dhe rinia janë në ditën e 14 të protestës kundër qeverisë së Edi Ramës.’Jam këtu për t’u bërë thirrje të gjithë atyre të rinjve që janë sot në ferma, unë e di se lodheni gjatë ditës, por bëni gjithçka të jeni tek bashkëmoshatarët tuaj në Tiranë. Se ata po firmosin historinë, po shpëtojnë Shqipërinë nga regjimi më i keq që ka patur pas Enver Hoxhës gjer sot.’, theksoi ai. Në fjalën e tij, Berisha theksoi edhe faktin se, në Shqipëri bujqësia dhe blegtoria janë në minimumin e kreditimit nga shteti.
Kryetari i PD-së Sali Berisha në takimin me fermerët në Cërrik, ka vendosur sërish theksin në zhvillimin fshatit dhe zonave rurale. Sipas tij, nuk mund të ketë Shqipëri të zhvilluar, nëse fshati është i prapambetur. Berisha u shpreh se, qeverisja e PD do të rikthejë investimet në zonat rurale, që këto të fundit të kthehen si lagje qyteti. ‘Shqipëria nuk mund të quhet kurrë vend i zhvilluar me një fshat të prapambetur. Në qoftë se fshati është i prapambetur, vendi është i prapambetur. Le të ndërtojë sa të dojë rrokaqiej. Zhvillimin e tregon këtu, e tregon fshati, niveli i tij. Ndaj dhe ne zotohemi para jush se do ta kemi përparësi të madhe.’, theksoi Berisha.
Në takimin me fermerët në Cërrik, kryedemokrati Sali Berisha ka bërë thirrje për largimin sa më të shpejtë të Edi Ramës nga qeveria, pasi sipas tij, ai vetëm për shqiptarët nuk mendon. ‘Thirrja ime, në mënyrë që të realizojmë këto programe transformuese, duhet ta përcjellim një minutë e më parë Edi Ramën, i cili për çdo gjë mund të mendojë, por jo për qytetarët shqiptarë.’, tha Berisha. Ai tha gjatë fjalës së tij, se Edi Rama ka ndërtuar një vilë me gjatësi themelesh sa Presidenca e Shqipërisë, dhe me një oborr prej 8300 metrash. Edi Rama ka një vilë me gjatësi themelesh sa Presidenca e Republikës, sa Këshilli i Ministrave. Me oborr 8300 metër katror, më të madh se pallati presidencial. Po absolutisht, të gjitha në emër të tij. Po si u ndërtuan ato? Nga i gjeti këto? Ndërkohë kishte të deklaruara në dokumentet e deklarimit të pasurive 3800 euro dhe 4400 lekë të reja.’, tha kryetari i PD-së Sali Berisha në fjalën e tij.
