E premte, 22 Maj, 2026

Berisha: Mafia e fjalës së lirë censuroi dhe manipuloi raportin e IBAR të 21 majit! Ky raport pasqyron me vërtetësi problematikat madhore të regjimit të Ramës. BE godet për herë të parë terroristët patronazhistë

Share

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi mediat pranë qeverisë se kanë censuruar dhe manipuluar raportin e 21 majit të IBAR-it, duke deklaruar se dokumenti i miratuar nga COELA pasqyron ‘me vërtetësi problematikat madhore të regjimit të Edi Ramës’ dhe shënon një qasje më të ashpër të Bashkimit Europian ndaj Shqipërisë.

Gjatë konferencës për mediat, Berisha theksoi se, se raporti i miratuar më 21 maj ka pësuar 32 ndërhyrje të rëndësishme krahasuar me draftin e shkurtit, ku sipas tij 14 prej tyre janë shtesa të reja që vendosin standarde më të forta për demokracinë, drejtësinë, zgjedhjet dhe luftën kundër korrupsionit.

Sipas kreut të PD-së, Sali Berisha ndryshimi i parë madhor lidhet me heqjen e seksioneve të përgjithshme pozitive mbi progresin e Shqipërisë në draftin e shkurtit. ‘Tre faqe me narrativë progresi janë hequr dhe dokumenti nis direkt me kërkesat ndaj standardeve. Është eliminuar narrativa e progresit të Shqipërisë’, deklaroi ai. Ai e interpretoi këtë si një sinjal politik dhe diplomatik nga BE-ja se qeveria shqiptare nuk gëzon më të njëjtin besim në procesin e integrimit.

Sipas kryedemokratit Sali Berisha, një nga ndryshimet më të forta, është përfshirja në raport e kërkesës për ‘garë të barabartë zgjedhore’ dhe masa kundër keqpërdorimit të burimeve shtetërore. Ai theksoi se raporti përmend për herë të parë ndikimin e rrjeteve të patronazhimit në proceset zgjedhore. ‘BE godet për herë të parë rrjetet e patronazhimit. Është kritikë direkte ndaj qeverisë dhe patronazhistëve elektoralë’, u shpreh Berisha.

Për liderin e opozitës, Sali Berisha, raporti i IBAR i miratuar në Maj ka ashpërsuar gjuhën ndaj ndërhyrjeve politike në drejtësi, duke përmendur në mënyrë eksplicite edhe SPAK-un. Ai tha se, ndryshe nga drafti i shkurtit, dokumenti i miratuar shpreh ‘keqardhje’ për përpjekjet e zyrtarëve të lartë për të ndikuar mbi drejtësinë dhe kërkon mbrojtje më të fortë të punës së SPAK-ut. Berisha shtoi se raporti mirëpret rezultatet e deritanishme të SPAK-ut, përfshirë hetimet ndaj zyrtarëve të lartë.

Një tjetër element që kryetari i PD-së Sali Berisha e cilësoi si të paprecedent ishte ndryshimi i formulimit për korrupsionin në Shqipëri. ‘Nuk flitet më për shqetësim serioz, por për shqetësim vendimtar, themelor. Është hera e parë që përdoret një term i tillë’, tha ai, duke u shprehur se, ky është një sinjal alarmi nga Brukseli. Ai tha se raporti i Majit shton kritika të drejtpërdrejta për çështjen e pronave, kompensimin e shpronësimeve, autonominë vendore dhe të drejtat e pakicave kombëtare. Berisha veçoi faktin se dokumenti kërkon kompensim të drejtë për pronarët, respektim të vendimeve të gjykatave ndërkombëtare dhe garantim të arsimit në gjuhët e pakicave. Gjithashtu, sipas tij, raporti trajton për herë të parë sektorin e pasurive të paluajtshme dhe industrinë e ndërtimit si fusha të ekspozuara ndaj korrupsionit dhe pastrimit të parave.

Në përgjigje të interesit të gazetarëve për një hetim parlamentar mbi çështjen e hakerimeve dhe të dhënave të qytetarëve, lideri i demokratëve Sali Berisha tha se PD do të kërkojë komision hetimor për abuzimet me sistemet e AKSHI-t, duke shtuar se opozita është në pritje të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për komisionet hetimore të bllokuara më herët. ‘Nuk do të pajtohemi me bllokimin e komisioneve hetimore. Do të qëndrojmë mbi çdo abuzim me të dhënat e qytetarëve’, deklaroi kryetari i PD-së, Sali Berisha gjatë konferencës për mediat

Te tjera

Lajme te tjera