E martë, 19 Maj, 2026

Ikën Silvinjo, një italian në krye të kombëtares, Rolando Maran merr drejtimin e kuqezinjve

Share

Federata Shqiptare e Futbollit duket se ka vendosur t’i besojë sërish një tekniku italian drejtimin e Kombëtares. Pas përfundimit të bashkëpunimit me Silvinjon, emri i përzgjedhur për stolin kuqezi është Rolando Maran, trajner me eksperiencë të gjatë në futbollin italian.

Maran, 62 vjeç, vjen pas eksperiencës së fundit me Breshan në sezonin 2024-2025, skuadër nga e cila u largua në korrik të vitit 2025. Në karrierën e tij ai ka drejtuar disa klube të njohura italiane si Kaljari, Xhenoa, Piza dhe Kievo, ndërsa konsiderohet një specialist i organizimit taktik dhe fazës mbrojtëse.

Një emër i njohur në futbollin italian

I lindur më 10 gusht 1963 në Trento, Rolando Maran e nisi rrugëtimin në futboll si mbrojtës. Pjesën më të rëndësishme të karrierës si lojtar e kaloi te Kievo ku ishte kapiten dhe një nga figurat kryesore në ngjitjen historike të klubit nga kategoritë e ulëta drejt Serisë B.

Pas tërheqjes nga futbolli i luajtur, ai nisi karrierën si trajner, fillimisht në role ndihmëse dhe më pas si kryetrajner. Kulmi i tij në Serinë A konsiderohet sezoni 2012-2013 me Katanian, ku arriti ta rendiste skuadrën në vendin e tetë me 56 pikë, rekord historik për klubin në elitën e futbollit italian.

Më pas, Maran pati një periudhë të gjatë edhe te Kievo në Serinë A, ku siguroi mbijetesën për disa sezone radhazi, duke krijuar reputacionin e një trajneri pragmatist dhe të disiplinuar.

Çfarë pritet të sjellë te Shqipëria

Trajneri italian njihet për preferencën ndaj skemave si 4-3-1-2, 4-2-3-1 dhe 4-4-2. Ekipet e tij karakterizohen nga organizimi mbrojtës, presingu i kontrolluar dhe tranzicioni i shpejtë në sulm.

Burime pranë FSHF-së vlerësojnë se profili i Maranit përshtatet me grupin aktual të Kombëtares, ku një pjesë e mirë e lojtarëve aktivizohen në kampionatin italian ose janë formuar si futbollist në Itali. Emra si Kristjan Asllani, Berat Gjimshiti, Ardian Ismajli dhe Marash Kumbulla pritet ta kenë më të lehtë përshtatjen me filozofinë e tij taktike.

Gjithashtu, tekniku italian konsiderohet i aftë në menaxhimin e grupeve dhe aktivizimin e lojtarëve të rinj, element që mund të ndikojë në rinovimin gradual të skuadrës kombëtare.

Rolando Maran është trajneri i pestë italian në krye të Kombëtares shqiptare, pas emrave si Xhani De Biazi, Kristian Panuçi, Edoardo Reja dhe Luixhi Dosena.

Fundi i epokës Silvinjo

Largimi i Silvinjos shënon fundin e një periudhe të suksesshme për Kombëtaren shqiptare. Braziliani arriti ta kualifikojë Shqipërinë në Kampionatin Europian “Gjermani 2024”, duke krijuar një grup konkurrues dhe rezultate pozitive në eliminatore.

Megjithatë, drejtuesit e Federatës duket se kanë vendosur të nisin një cikël të ri, me fokus më të madh tek organizimi taktik dhe stabiliteti afatgjatë i skuadrës.

Te tjera

Lajme te tjera