Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka komentuar situatën politike në vend dhe veçanërisht atë brenda PD. Në një intervistë të fortë dhe pa filtra për gazetën “SOT”, ish-deputeti Salianji sulmon drejtpërdrejt kreun e Partisë Demorkatike, Sali Berisha, pas përjashtimit të tij nga gara për drejtimin e partisë. Z. Salianji e cilëson vendimin si një akt kundër demokracisë dhe garës së lirë, ndërsa akuzon Berishën se po e kthen PD-në në një “pronë private”. Ai deklaron se frika reale brenda Partisë Demokratike nuk është kundërshtari politik, por vota e demokratëve, duke shtuar se me një garë të hapur do ta mundte Berishën. Në këtë intervistë, Salianji ngre akuza të forta për pazare politike, kontroll të partisë nga një rreth i ngushtë dhe heshtje të qëllimshme ndaj dosjeve që, sipas tij, përfshijnë emra të rëndë. Ish-deputeti sfidon publikisht Berishën që të publikojë dokumente dhe prova konkrete, duke lënë të kuptohet se kreu i PD-së ka frikë nga zbardhja e disa lidhjeve të errëta.
Ai mohon kategorikisht akuzat ndaj tij për lidhje kriminale dhe i konsideron ato si sulme politike për ta “eliminuar” nga skena politike. Më tej ish-deputeti Salianji shprehet se opozita sot është e përçarë dhe e mbajtur peng, gjë që sipas tij po i shërben drejtpërdrejt pushtetit të kryeministrit Edi Rama. Sipas tij, mungesa e garës reale në Partinë Demokratike po shkatërron besimin e demokratëve dhe po largon qytetarët nga opozita. Ndërkohë ai paralajmëron se nuk do të tërhiqet nga beteja politike dhe se do të vijojë përballjen për rikthimin e garës dhe demokracisë në parti. Megjithatë theksojmë se këto deklarata të z. Salianji janë individuale dhe politike, ndërsa sqarojmë se çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
-Zoti Salianji, ju u përjashtuat nga gara për kryetar të PD-së. Si e lexoni këtë vendim dhe çfarë mesazhi mendoni se përcjell për demokracinë e brendshme në parti?
Ky nuk është vendim kundër meje, është vendim kundër garës, kundër demokracisë! Vendim që rrezon maskat e mbajtura deri sot dhe zbulon autokracinë partiake. Kur përjashton alternativën, nuk mbron partinë, mbron karrigen. Mesazhi është i qartë: në PD sot nuk po frikësohen nga kundërshtari politik, por nga vota e demokratëve. Me votë e mund Sali Berishën!
-Sali Berisha ka mbetur i vetëm në garë. A është kjo një shenjë se PD po kthehet në një parti “private” dhe pa hapësirë për alternativa?
Një garë me një kandidat nuk është garë, është ceremoni emërimi. Është farsë dhe uzurpim antistatutor i PD! Partia Demokratike nuk mund të kthehet në pronë private, sepse është ndërtuar me sakrificën e demokratëve, jo për komoditetin e një njeriu.
-Ju jeni akuzuar nga Sali Berisha dhe eksponentë të tjerë të PD se keni lidhje me grupe kriminale. Si i përgjigjeni këtyre akuzave dhe a mendoni se ato janë pjesë e një strategjie politike për t’ju “eleminuar” politikisht?
Janë shpifje të ulëta dhe të dëshpëruara. Unë kam denoncuar krimin, kam paguar kosto për këtë, kam bërë burg politik për një denoncim të faktuar. Ata që s’kanë guxim të përballen me mua politikisht, prodhojnë baltë për të tentuar shantazh. Unë kam publikuar dosje ata thashetheme qe i turpërojnë vete ata!
-Gjithashtu ju keni hedhur akuza ndaj Berishës, madje e keni sfiduar në disa reagime që keni bërë kundrejt tij. Konkretisht në një reagim ju i drejtoheni Berishës: “Sali kolltuku, je tmerruar! Nëse ke guxim, publiko dosjet Agasi-Beqiri?!”. Çfarë keni dashur të thoni? A mund të na thoni me emra se me kë bashkëpunon Berisha?
Kam kërkuar një gjë të thjeshtë: kush ka dosje, t’i publikojë. Jo baltë nëpër foltore, por fakte. Nëse Berisha ka guxim, të flasë me emra, me dokumente, me lidhje konkrete. Unë them se heshtja e tij ndaj disa dosjeve dhe disa njerëzve tregon frikë, varësi ose pazar politik. Opozita selektive ku brenda te njëjtës dosje shmang disa emra dhe përmend disa te tjerë, minimalisht tregon kapjen nga personat qe nuk përmenden!
-A keni frikë nga Sali Berisha?
Nuk e njoh frikën! Jo. Nuk kam pasur frikë nga regjimi, nga burgu, jo më nga një politikan që i trembet garës dhe politikisht humbi duke treguar qe me gare unë e mund! Frika është tek ata që mbyllin dyert, shpikin rregulla dhe garojnë vetëm për interesa personale!
-Si e shihni sot dinamikën e brendshme në PD? A ka ende hapësirë për debat dhe garë të ndershme, apo gjithçka është e kontrolluar nga një rreth i ngushtë?
Sot PD është në një moment kritik. Ka demokratë të ndershëm, energji, zemërim dhe dëshirë për ndryshim, por vendimmarrja është kapur nga një rreth i ngushtë. Debati nuk mund të zëvendësohet me urdhër, gara nuk mund të zëvendësohet me përjashtim. Kjo e zvogëlon partine dhe humb shpresën për rotacion politik!
-Ka zëra që Berisha dhe Rama, pavarësisht retorikës publike, mund të jenë në një lloj bashkëpunimi të heshtur. Si e komentoni këtë perceptim?
Shqiptarët nuk janë naivë. Ata shohin që Rama qëndron në pushtet edhe sepse opozita është mbajtur peng, e përçarë dhe e kontrolluar. Kur opozita nuk hapet, nuk modernizohet dhe nuk prodhon shpresë, i bën shërbimin më të madh Edi Ramës.
-Nëse do të vijojë mbyllja e dyerve të PD-së dhe kufizimi i hapësirës për ju, cili do të ishte reagimi juaj dhe çfarë hapash konkrete do të ndërmerrnit?
Unë nuk do të tërhiqem. Do të jem me demokratët, me qytetarët dhe me çdo njeri që kërkon opozitë reale. Do të ndërmarr çdo hap politik, institucional dhe publik për të rikthyer garën, dinjitetin dhe besimin. Nuk luftoj për një karrige, luftoj që PD të mos kthehet në azil politik të interesave personale.
-A mendoni se përjashtimi juaj dhe mungesa e garës reale e dëmton besueshmërinë e Partisë Demokratike tek qytetarët që presin një opozitë të fortë dhe të besueshme?
Po, e dëmton rëndë. Qytetarët presin opozitë që frymëzon, jo parti që mbyllet. Një parti që s’pranon garë brenda vetes, nuk mund t’u premtojë shqiptarëve demokraci në vend. PD fiton vetëm kur hapet, kur konkurron, kur bashkon njerëz me vlerë dhe kur i jep fund kulturës së përjashtimit.
Intervistoi: Rigels Seliman
