E mërkurë, 13 Maj, 2026

Kreshnik Spahiu: Ja pazari Rama-Berisha që po mban peng opozitën, si u shndërrua PD nga organizatë politike në një shoqëri tregtare me një ortak që punon për interesat e qeverisë

Share

Juristi dhe analisti i njohur, Kreshnik Spahiu, ka lëshuar akuza të forta në drejtim të lidershipit të Partisë Demokratike, duke deklaruar se kjo forcë politike ka prekur fundin e saj historik. Në një intervistë për gazetën “Sot”, Spahiu e cilëson PD-në e sotme jo më si një organizatë politike, por si një “shoqëri tregtare” me një ortak të vetëm, i cili punon në koordinim të plotë me interesat e qeverisë së Edi Ramës. Sipas Spahiut, Sali Berisha ka shkelur çdo premtim të dhënë që nga nisja e lëvizjes së tij. Ai thekson se fakti që Berisha pritet të jetë kandidat i vetëm më 23 maj, tregon se demokracia brenda asaj partie ka vdekur përfundimisht.

-Zoti Spahiu, si e shikoni faktin që në garën për drejtimin e Partisë Demokratike nuk ka kandidatë të tjerë përballë Sali Berishës dhe ai pritet të jetë kandidati i vetëm më 23 maj? A mendoni se kjo tregon mungesë demokracie të brendshme në PD?

PD ka prekur fundin historik dhe ka tradhtuar gjithë elektoratin: Berisha premtoi primare dhe nuk respektoi rezultatin e primareve. Berisha premtoi ribashkim dhe rithemelim, por nuk riktheu asnjë themelues të PD-së që kishte larguar. Berisha premtoi marrëdhënie të mira me Donald Trump, por as ai nuk ia hoqi “non grata”-n.Berisha premtoi hapje të partisë, por e mbylli. Berisha premtoi garë, por eliminoi çdo kandidat. Berisha premtoi që nuk do kandidonte nëse humbte zgjedhjet dhe sërish gënjeu. PD e ka mbyllur misionin e saj dhe nuk funksionon më si organizatë politike, por si shoqëri tregtare me një ortak.

-Ka zëra kritikë që thonë se Sali Berisha nuk lejon figura kundërshtare të ngrihen brenda partisë dhe se ka frikë nga një garë reale. Sipas jush, pse PD nuk po prodhon alternativa të reja pas 35 vitesh dominim të Berishës?

Berisha e ka deklaruar publikisht që me vota nuk e mund dot Edi Ramën. Ai prej dy dekadash nuk fiton asnjë betejë elektorale. Berisha nuk mund dot me vota as Meremen apo Salianjin e jo më Edi Ramën. Ai është një njeri që i trembet çdo gare dhe procesi zgjedhor. Berisha po e zvogëlon partinë dhe është rast unik në botë. Çdo opozitë hapet sepse ka nevojë për njerëz. Ai mbyllet sepse nuk synon pushtetin. Çdokush e ka kuptuar që Berisha përdoret nga Edi Rama. Ai ka një pakt afatgjatë dhe të vetmen mbështetje ka Edi Ramën. Qeveria dhe socialistët duan përballë Berishën dhe askënd tjetër, që të trembin elektoratin duke thënë: “Ose Ramën, ose Berishën”.

-Protestat e fundit të thirrura nga opozita nuk kanë pasur mobilizimin e pritshëm. Sipas jush, pse protestat e drejtuara nga Berisha po dështojnë të krijojnë presion politik dhe a lidhet kjo me lodhjen e elektoratit apo me mungesën e besimit te lidershipi aktual i PD-së?

Është fakt që PD ka degraduar në protestat më të vogla në historinë e saj. Kurrë më parë nuk ka pasur kaq pak mbështetës dhe protestues në sheshe sa këto muaj. Demokratët kanë disa arsye pse e kanë braktisur Berishën në protesta:

  • Ata nuk protestojnë sepse e dinë që qeveria nuk rrëzohet me protesta.
  • Ata nuk protestojnë sepse e dinë që Berisha ka një marrëveshje me Edi Ramën.
  • Ata nuk protestojnë sepse e kuptojnë lojën, luftën dhe aktrimin e tyre.
  • Ata nuk protestojnë sepse e kuptojnë që SHBA, Britania e Madhe dhe BE nuk e mbështesin ardhjen e Berishës në pushtet.
  • Ata nuk protestojnë sepse e kuptojnë që synimi nuk është rrëzimi i Ramës, por largimi i Salianjit, Kokalarit, Meremes, Alizotit, Vladimirit dhe çdo zëri kritik në parti.
  • Ata nuk protestojnë sepse e kuptojnë që kauzat e tyre janë tradhtuar.
  • Ata nuk protestojnë sepse PD la të humbasë bastionet kryesore në qytete dhe ka mbetur një parti fshati dhe njerëzish provincialë.
  • Ata nuk protestojnë sepse kryeqyteti, Tirana, nuk e mbështet Berishën kur sheh në shesh vetëm 2000 militantë të ardhur nga fshatrat e veriut.
  • Ata nuk protestojnë sepse në krye të partisë kanë mbetur një tufë injorantësh që nuk prodhojnë as politikë dhe as elektorat.
  • Ata e kanë kuptuar që një i pandehur i SPAK-ut nuk mund të bëhet kryeministër.

Ajo që është më e rëndësishme: demokratët e kanë kuptuar lojën e dyfishtë dhe implikimin e Berishës kur bën presion dhe shantazhon:

  • Ai akuzon pronarët e mediave, por thotë vetëm dy emra, se 10 të tjerët i ka miq.
  • Ai akuzon oligarkët, por përmend vetëm dy emra dhe hesht për të tjerët sepse e kanë financuar. Ai denoncon vetëm dy banda, por nuk i përmend kurrë 10 bandat më kryesore në Shqipëri dhe emrat e kapove të tyre.
  • Ai sulmon 5 gazetarë që e kritikojnë dhe hesht për ata 50 që i thurin këngë dhe poezi. Thjesht demokratët, pas 36 vitesh, e kanë lënë vetëm në shesh.
  • Ai premton protestat më të mëdha në histori, por ato kanë qenë më të voglat që nga krijimi i PD-së.
  • Ai akuzon Meremen se është qesharake, por demokratët qeshin me garën e tij komike pa kandidatë.

Thjesht, PD po shkon drejt kilometrave të fundit të shkrirjes së saj dhe mbylljes së misionit politik.

Intervistoi: Rigels Seliman

Te tjera

Lajme te tjera