E premte, 1 Maj, 2026

Spektakël në Champions League, PSG dhe Bajern “poker” golash; kualifikimi mbetet i hapur

Share

Ashtu siç pritej, ashtu ndodhi. Gjysmëfinalja e parë mes PSG-së dhe Bajernit të Mynihut ka dhuruar spektakël. Ndeshja e luajtur në “Parc des Princes” është mbyllur me fitoren e kampionëve në fuqi të Europës me rezultatin 5-4.

Bavarezët kaluan të parët në avantazh, falë një penalltie në minutën e 17-të, të shndërruar në gol nga Herri Kejn.

Pas një faulli brenda në zonë të Uillian Paço ndaj Luis Diaz, arbitri nuk pati as dyshimin më të vogël dhe drejtoi gishtin nga pika e bardhë. Goditi i zakonshmi Herri Kejn dhe topi përfundon në rrjetë. Një minutë më pas, Majkëll Olize pati shansin e artë për të dyfishuar shifrat, por nuk u tregua i saktë.

Kundërpërgjigjja e bavarezëve ishte e shpejtë, ku pas një aksioni të gjatë, asistit të Dezajër Due dhe depërtimit të bukur brenda në zonë, ishte Khviça Kvaratskhelia, i cili shënoi një gol tejet të bukur, duke barazuar shifrat në 1-1.

Në minutën e 31-të, parizienët pretenduan për prekje të topit me dorë brenda zonës nga Aleksandër Pavloviç dhe kërkuan penallti, por arbitri vazhdoi lojën normalisht. Në minutën e 33-të, Olize tregoi gjithë klasin e tij, duke u futur bukur brenda në zonë, por reflekset e portierit Matvej Safonov, bën që topi të përplasej në shtyllë.

Menjëherë, kundërpërgjigja e shpejtë e parizienëve, të cilët gjetën golin e dytë, këtë herë me Zhoao Neves. Portugezi shënoi me kokë, pas krosimit të Osmane Dembele nga këndi. Në minutën e 42-të, pas një topi të bukur të Pavloviç dhe depërtimit në zonë, Olize gjeti golin e barazimit, duke shënuar me një goditje të bukur me të majtën. Në minutat shtesë, PSG-ja gjen golin e tretë falë një penalltie, pas prekjes së topit me dorë nga Alfonso Devis dhe ndërhyrjes së VAR-it. Goditi Osman Dembele, topi përfundoi në rrjetë. Pjesa e parë u mbyll3-2 për PSG-në.

Në minutën e 56, francezët gjetën golin e katërt. Hakimi doli i vetëm në sulm në të djathtë, pasoi në qendër ku nuk devijoi askush, por topi shkon te Kvaratskhelia i cili nuk gaboi i vetëm para portës.

2 minuta më vonë, PSG-ja realizoi edhe golin e pestë. Tjetër zbritje e rrufeshme e parisienëve me Due i cili gjeti Dembele. Sulmuesi kaloi topin mes këmbëve të Upamekano dhe me gjuajtjen e tij mposhti portierin Nojer.

Kur mendohej se ndeshja do të mbyllej këtu dhe PSG-ja do të vendoste njërën këmbë në finalen e madhe të Budapestit, Bajerni realizoi dy gola të tjerë, duke mbajtur të hapur kualifikimin.

Në minutën e 65, skuadra e drejtuar nga Vinsent Kompani shkurtoi diferencën në 5-3. Pas një goditje dënimi të Kimish, Upamekano devijoi lehtë me kokë dhe dërgoi topin në rrjetë.

3 minuta më vonë, kampionët e Gjermanisë çuan shifrat në 5-4. Luis Diaz mori një pasim të gjatë në zonë, e ndali mirë topin dhe gjuajti duke shënuar në portën e parisienëve. Pati dyshime për pozicion jashtë loje, por VAR-i në fund e quajti golin të rregullt.

Ndeshja e kthimit mes këtyre dy ekipeve do të luhet më 6 maj në “Allianz Stadium” të Mynihut, aty ku Bajerni do të tentojë përmbysjen për t’u kualifikuar në finale, ndërsa PSG-ja udhëton drejt Gjermanisë për të ruajtur rezultatin e ndeshjes së parë.

Te tjera

Lajme te tjera