E premte, 17 Prill, 2026

Alfred Cako “demaskon” Sali Berishën, nga kapja totale e PD-së, te spastrimi brutal i kundërshtarëve, zgjedhjet farsë, kontrolli absolut i partisë, përdorimi si mburojë ndaj SPAK dhe akuzat për pazare politike me pushtetin

Share

Konspiracionisti dhe teoricieni i njohur Alfred Cako ka hedhur akuza të forta ndaj kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, z. Cako e përshkruan situatën në PD si një kapje totale të partisë nga një drejtim i centralizuar dhe i pakontestueshëm. Sipas Cakos, proceset e brendshme në parti janë kthyer në formalitete, ku zgjedhjet nuk përfaqësojnë më një garë reale, por një farsë të paracaktuar. Ai flet gjithashtu për një spastrim brutal të çdo zëri kritik brenda strukturave të PD-së. Në analizën e tij, Berisha paraqitet si një lider që ushtron kontroll absolut mbi partinë, duke mos lejuar hapësira për mendim ndryshe. Cako ngre edhe pretendime se Partia Demokratike po përdoret si një mburojë politike përballë hetimeve të SPAK. Për më tepër, konspiracionisti Cako hedh dyshime mbi ekzistencën e pazareve politike mes opozitës dhe mazhorancës socialiste.

-Z. Cako, ajo që po ndodh në Partinë Demokratike po përshkruhet hapur si një spastrim brutal politik. A po e kthen Sali Berisha partinë në një strukturë personale, ku çdo zë kundër eliminohet pa kompromis?

Po, kjo është e vërtetë. PD ka qenë që në kohën e spastrimit të parë të madh të armiqve me në krye Nertian Cekën (madje edhe në kohët kur ai nuk ka qenë formalisht kryetar i saj por Eduard Selami, Tritan Shehu a L.Basha), një parti thellësisht personale e Sali Berishës. Ky ka bërë sikur e ka lëshuar Partinë Demokratike në disa momente por përsëri është sulur vrulltazi me falangat e veta ortodokse dhe e ka rimarrë apo ja kanë ridorzuar fortesën PD. Sigurisht që kjo fortesë i është dashur më së shumti për axhendat e veta personale të shumfishta.

-Kur në garën për kreun e PD-së është vetëm Sali Berisha, a ka kuptim të flasim për demokraci të brendshme, apo ky është thjesht një proces fasadë për të legjitimuar një rezultat të paracaktuar?

Duke qenë një parti personale e Sali Berishës, sigurisht që asnjë gjel tjetër nuk mundet të këndojë në kotecin e Partisë Demokratike. Askujt, veç ndonjë zari të tij që mund të hyjë në garë formalisht, nuk mund t’i shkojë në mendje që ta sfidojë me seriozitet Berishën, veçse në media dhe jashtë garës reale e të lirë në parti. Sali Berisha nuk lejon garë, ai thotë PD jam unë dhe zgjedhjet kështu janë farsë.

-Hetimet e SPAK ndaj Berishës janë serioze dhe në zhvillim. A po e përdor ai Partinë Demokratike si mburojë politike dhe presion publik përballë drejtësisë?

Janë këto presione të Deep State ndërkombëtar nëpërmjet Prokurorisë së Posaçme (SPAK) që e detyrojnë edhe më shumë se aspirata e tij e pangopur me pushtet, të mos dalë nga strofulla e PD. Ky qëndrim i tij në krye të PD lehtëson mbajtjen e pushtetit nga Edi Rama në krahun tjetër. Pastaj ndajnë të dy pushtetin ekonomik ku PD është një aksionere e vogël dhe duket si opozitë e blerë dhe e paguar nga pozita.

-A është retorika për “armiq të brendshëm” një propagandë e qëllimshme për të fshehur dobësinë dhe për të justifikuar largimet masive nga partia?

Kjo që sapo ju thashë më lart është skema e funksionimit të pushtetit politik kryesor në Shqipëri, me një piramidë të madhe ngjyrë mavi dhe një piramidë më të vogël sfungjeri blu. Këto dy sfungjerë korrupsioni mbijetojnë me korrupsionin e shumfishtë ndaj shqiptarëve dhe me pasuritë e Shqipërisë. Këto dy struktura mund ti shpërbëjë një forcë politike që do arrijë të sjellë në kutitë e votimeve një numër të madh votuesish, mbi 85% të tyre, pra duke tërhequr e sjellë në aulën politike të Shqipërisë, elektoratin gri.

Në këto kushte përçarjeje dhe kontrolli të centralizuar, a po rrezikon PD të shndërrohet në një parti të izoluar, pa ndikim real si opozita kryesore në vend?

Partia Demokratike me kupolën e saj të vjetër berishiane në krye dhe me Deep State-n e brendshëm dhe të jashtëm kundër saj, sigurisht nuk jep shumë shpresë për ndryshimin e domosdoshëm që duhet të kishte ardhur pas këtij sundimi absolut me mbështetje nga ndërkombëtarët për interesat e tyre, të PS dhe Edi Ramës. Madje, siç ja u shpjegova dhe më lart, kjo lloj skeme me dy struktura pushteti të brendshëm të kontrolluara politike nga ndërkombëtarët, prandaj është krijuar që të funksionojë vetëm kështu, me një piramidë të madhe sfungjeri korruptiv në pushtet ngjyrë mavi dhe një piramidë të vogël sfungjeri korruptiv blu në opozitë. Qenia e një njeriu në majat e pushtetit politik apo në opozitë qysh më 1990 si S.Berisha e bën atë të papranueshëm për t’u mbështetur nga Deep State ndërkombëtar që të rikthehet përsëri në krye të një mazhorance parlamentare. Kështu që shqiptarët që janë të pakënaqur nga kjo demokraci fallco apo e kontrolluar e kanë pasur të pamundur ta ndryshojnë nga brenda, deri sa të dalë një forcë e besueshme politike për shumicën që do ndryshim që ta përmbysë këtë gjendje duke nxjerrë nga shtëpia një numër të madh votuesish. Vetëm zgjidhja e një ekuacioni me dy ndryshore, –  një forcë e re politike dhe  një  pjesëmarrje e madhe votuesish, – mund ta shkërmoqë këtë realitet monopoli politik PS-PD.

Intervistoi: Rigels Seliman

Te tjera

Lajme te tjera