Evi Kokalari ka reaguar ashpër ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, duke e akuzuar se ka devijuar misionin e lëvizjes “Rithemelimi” për interesa personale.
Në një postim në rrjetet sociale, Kokalari shprehet se kjo lëvizje “nuk e përmbushi kurrë misionin e saj”, pasi sipas saj, Berisha “e mori peng dhe e shfrytëzoi vetëm për të marrë kontrollin e partisë dhe për ta përdorur për bizneset e familjes”.
Ajo pretendon gjithashtu se kredibiliteti i “Rithemelimit” lidhet me rolin e saj në fillimet e kësaj lëvizjeje.
“Ka ardhur koha që Rithemelimi t’i kthehet personit që i dha kredibilitetin asaj lëvizjeje, dhe ajo isha unë, JO Sali Berisha”, shkruan Kokalari.
Në të njëjtin reagim, ajo u bën thirrje mbështetësve të Partisë Demokratike që të distancohen nga Berisha dhe të angazhohen për rimarrjen e strukturave të partisë.
“Mblidhni forcat, largojuni Berishës dhe ejani të marrim Rithemelimin”, thekson Kokalari.
Kokalari kritikon gjithashtu figura të tjera brenda opozitës, duke përmendur se disa prej tyre nuk kanë qenë pjesë e hershme e lëvizjes apo janë përfshirë më vonë.
Deklaratat e saj vijnë në një moment kur Partia Demokratike vijon të përballet me përçarje të brendshme dhe debate mbi drejtimin dhe të ardhmen e saj politike.
“Rithemelimi nuk e përmbushi kurrë misionin e saj, sepse Sali Berisha e mori edhe atë peng dhe e shfrytëzoi vetëm për të marrë kontrollin e partisë dhe për ta përdorur për bizneset e familjes.
Ka ardhur koha që Rithemelimi t’i kthehet personit që i dha kredibilitetin asaj lëvizjeje, dhe ajo isha unë, JO Sali Berisha.
Kredibiliteti im është akoma solid, sepse integriteti im—edhe pse u munduan shumë të më baltosnin—mbeti i paprekur.
Po me të njëjtin integritet dhe sinqeritet ju them të gjithë demokratëve, sidomos atyre që erdhën në çdo foltore dhe jo pse i detyroi Flamur Noka:
Mblidhni forcat, largojuni Berishës dhe ejani të marrim Rithemelimin, pjesë e të cilit nuk ishin as Gaz Bardhi, as “Babalet” dhe as Këlliçi. Mos harroni që Këlliçi iu bashkua foltoreve me shumë vonesë dhe pasi (thonë) e kërcënuan me materiale që kishin për të.
Ne duhet ta marrim Rithemelimin nga Berisha dhe, si pasojë, PD-në, sepse pa Rithemelim, PD-ja do të ishte akoma e Lul Bashës”, shkruan Kokalari.
