Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentis, ka hedhur ide të reja për të ardhmen e futbollit europian, duke propozuar krijimin e një “Superkampionati” që do të përfshinte klubet më të mëdha të kontinentit. Në një intervistë për “The Athletic”, ai u ndal edhe te nevoja për ndryshime në rregullat e lojës, me synimin për të rritur spektaklin dhe për të tërhequr brezat e rinj.
Propozimi për “Superkampionat” europian
De Laurentis sugjeron që klubet më të rëndësishme nga kampionatet kryesore – Italia, Spanja, Franca, Gjermania dhe Anglia – të bashkohen në një garë të re sezonale.
Sipas tij, Franca do të përfaqësohej me tre skuadra, Gjermania me katër, Italia me pesë (Juventus, Inter, Milan, Napoli dhe Roma), Anglia me pesë dhe Spanja me katër.
“Le të krijojmë një superkampionat dhe do të kemi një garë të mrekullueshme”, u shpreh ai.
Ai theksoi se kjo ide ndryshon nga projekti i Superligës së propozuar më parë, duke kundërshtuar përzgjedhjen me ftesë dhe modelin e promovuar nga Reali i Madridit dhe Florentino Pérez. Sipas tij, gara e re nuk do të zëvendësonte Champions League, por do të zhvillohej paralelisht gjatë sezonit.
Shqetësimi për rënien e interesit
Presidenti i Napolit ngriti alarmin për humbjen graduale të audiencës, veçanërisht te të rinjtë. Ai argumenton se ritmi i lojës dhe kohëzgjatja e ndeshjeve janë ndër faktorët kryesorë.
“Brezat e rinj po humbasin interesin. Ndeshjet janë shumë të gjata dhe me shumë ndërprerje. Ata nuk kanë durimin për të ndjekur një lojë kaq të ngadaltë”, deklaroi De Laurentis.
Propozime për ndryshime në rregulla
Për ta bërë futbollin më tërheqës, ai sugjeron disa ndryshime të forta në strukturën e lojës:
Reduktimin e pjesëve nga 45 minuta në 25 minuta secila, me kohë efektive loje, të ngjashme me basketbollin
Zëvendësimin e kartonëve të verdhë dhe të kuq me përjashtime të përkohshme (5 minuta për të verdhin, 20 minuta për të kuqin)
Eliminimin e vonesave dhe simulimeve në fushë përmes ndëshkimeve më të menjëhershme
Sipas tij, këto masa do të rrisnin intensitetin dhe do të krijonin më shumë dinamizëm në ndeshje.
Nevoja për më shumë spektakël
Një tjetër problem që ai identifikon është numri i ulët i golave, që sipas tij ndikon negativisht në atraktivitetin e lojës.
“Ka shumë pak gola. Pa gola nuk ka spektakël. Për të ndryshuar këtë, duhet të ndryshohen rregullat”, theksoi ai.
