Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, njëkohësisht kreu i PS-së, duke deklaruar se këtë forcë politike e ka “privatizuar” dhe ka shtypur mendimin ndryshe që nga momenti që ka marrë drejtimin e socialistëve.
Gjatë një interviste për Gazeta Panorama, Malaj ka deklaruar se PS duhet të rikthehet si një parti e anëtarëve dhe jo e kryetarit. Sipas tij, nëse kjo nuk ndodh, PS-ja do të venitet në misionin e saj si forcë politike.
“PS ka sfida shumë të mëdha, së pari për të kaluar nga një parti e kryetarit në një parti e anëtarëve të saj. Pa e fituar këtë sfidë të brendshme, PS-ja do të venitet në misionin e saj si forcë politike demokratike, dhe qeveritë e saj do të jenë përherë më të prekura nga korrupsioni dhe kapja e shtetit, siç po ndodh aktualisht,” deklaron Malaj.
Po ashtu, ish-ministri i Financave thekson gjatë intervistës se mendimi ndryshe dhe liria e mendimit janë shkelur rëndë që nga dita e parë kur Edi Rama mori drejtimin e kësaj force politike, duke mos ngurruar ta krahasojë edhe me Sali Berishën.
“Fatkeqësisht, po. Mendimi ndryshe dhe liria e mendimit janë shkelur që ditën e parë që Edi Rama mori drejtimin e një prej partive më demokratike në vend, duke hequr kështu një model referues pozitiv dhe inspirues, të nevojshëm për ambientin shoqëror dhe politik shqiptar. Vdekja klinike e mendimit të lirë dhe ndryshe u bë me ndryshimet kushtetuese në 2008, ku u vërtetua edhe ‘vëllazëria siameze’ e Ramës me Berishën” deklaron ai.
Malaj ka komentuar edhe kandidimin e tij si i pavarur në Vlorë, duke deklaruar se i është mirënjohës socialistëve, por nuk mund të konkurrojë nën logon e “Rilindjes”.
“Kur një derë u mbyll më 2013-ën, patjetër portat dhe horizonti i pakufizueshëm i Vlorës e lehtësojnë këtë angazhim të përkushtuar. U jam mirënjohës gjithë socialistëve, por në asnjë rast nuk do të konkurroja për asnjë post publik me logon e lyrosur të rilindasve të babëzitur. Kjo është një vijë e kuqe që nuk do ta shkel kurrë. Po e ripërsëris: kurrë nuk do të jem kandidat i ‘Rilindjes’ së babëzitur, të korruptuar dhe të kapur nga interesa të pista, jo vetëm personale,” thekson ai.
Sa i përket shpalljes së kandidimit të Erion Braçes për Bashkinë e Tiranës, Malaj nënvizon se do të jetë e vështirë që ai të konfirmohet si kandidat i PS-së, dhe i bën thirrje të dalë në zgjedhje si kandidat i pavarur.
“Personalisht kam mbështetur historikisht lirinë e mendimit të lirë, lirinë e mendimit ndryshe dhe sidomos angazhimin e tyre në sfidat e PS-së, të cenuara rëndë nga modeli i babëzisë së ‘Rilindjes’. Erionin e kam mbështetur publikisht kur kandidoi dhe fitoi ndjeshëm në zgjedhjet parlamentare. Ai ka mundësi të jetë kandidat në emër të PS-së, por ka theksuar se, nëse PS nuk e kandidon, do të konkurrojë edhe i pavarur. Mundësitë apo pamundësitë për këtë ambicie mund t’i qartësojë vetëm Erioni, sikurse po bëj unë sot, duke rikonfirmuar se do të kandidoj si kandidat i pavarur në Vlorë,” thekson Malaj.
