E premte, 17 Prill, 2026

Berisha: Rama vazhdon ndëshkon shqiptarët, nuk pranon përgjysmimin e taksave për naftën! Të bashkohemi më 17 prill, t’i tregojmë botës se ne qëndrojmë të pamposhtur

Share

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, zhvilloi ditën e sotme një bashkëbisedimin e përjavshëm me qytetarët në rrjetet sociale, ku artikuloi një seri akuzash ndaj qeverisë aktuale, duke u ndalur në çështjet ekonomike, korrupsionin, zgjedhjet dhe situatën në sektorë kyç si shëndetësia dhe energjia. Bashkëbisedimi u hap me një minutë heshtje në nder të ish-kongresmenit amerikan Eliot Engel, të cilin Berisha e cilësoi si një nga mbështetësit më të mëdhenj të shqiptarëve në arenën ndërkombëtare.

Në vijim të bashkëbisedimit, fokusi i deklaratës hyrëse ishte çmimi i lartë i naftës, që ka arritur nivele rekord për shkak të barrës së lartë fiskale. Berisha theksoi se taksat mbi karburantin janë ndër më të lartat në botë dhe akuzoi qeverinë se refuzon t’i ulë ato në nivele të krahasueshme me vendet e rajonit, si Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Lideri demokrat, Sali Berisha kritikoi gjithashtu vendimin për heqjen e subvencioneve për fermerët, duke paralajmëruar pasoja për bujqësinë dhe prodhimin vendas. Në të njëjtën linjë, ai u ndal te pensionistët, duke e cilësuar mbështetjen financiare të qeverisë si të pamjaftueshme dhe simbolike.

Një tjetër pikë kyçe e diskutimit ishte projekti i Portit të Durrësit. Kryedemokrati, Sali Berisha e cilësoi atë një aferë me vlerë miliarda euro, që dëmton interesin publik dhe dobëson pozicionin strategjik të Shqipërisë në rajon. Ai kritikoi gjithashtu projektin për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano, duke argumentuar se kapaciteti i tij është më i ulët dhe se mund të ndikojë negativisht në konkurrueshmërinë e porteve shqiptare përballë rajonit.

Në sesionin pyetje–përgjigje, Berisha ngriti akuza për korrupsion në institucionet shtetërore, përfshirë sektorin e teknologjisë dhe prokurimeve publike. Ai përmendi raste konkrete që lidhen me abuzime financiare dhe ndikim të grupeve kriminale në vendimmarrje. Gjithashtu, ai foli për lidhjet mes qeverisë dhe karteleve të drogës, duke i konsideruar ato si rrezik për ekonominë dhe integrimin europian të vendit.

Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua sistemit shëndetësor, të cilin Kryetari i PD theksoi se është në gjendje të rëndë. Ai evidentoi mungesën e ilaçeve, mosfunksionimin e aparaturave dhe vështirësitë që hasin qytetarët për të marrë shërbime bazë. Berisha theksoi se situata kërkon ndërhyrje të menjëhershme, përfshirë rritjen e pagave për mjekët dhe infermierët, si dhe garantimin e furnizimit me barna dhe pajisje.

Sa i përket procesit zgjedhor, lideri demokrat deklaroi se opozita do të synojë të paraqesë kandidatë përfaqësues dhe konkurrues në zgjedhjet vendore. Megjithatë, ai theksoi se zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk mund të zhvillohen në kushtet aktuale. Berisha akuzoi qeverinë për kontroll të administratës dhe ndikim mbi median, duke e cilësuar procesin zgjedhor si të deformuar.

Në përmbyllje të fjalës së tij dhe mesazhit për qytetarët, Berisha bëri thirrje për mobilizim qytetar, duke veçuar protestën e paralajmëruar më 17 prill si një moment të rëndësishëm për reagim ndaj situatës ekonomike dhe politike. Lideri demokrat e cilësoi protestën si një mjet demokratik për të kundërshtuar korrupsionin, varfërinë dhe politikat qeveritare, duke u bërë thirrje qytetarëve të bashkohen pavarësisht bindjeve politike.

Te tjera

Lajme te tjera