Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, foli këtë të martë para gazetarëve për qëndrimet publike që lidhen me deputetët Erion Braçe dhe Elisa Spiropali.
Në deklaratën e tij, Balla u shpreh se nuk ka dëgjuar kritika, ndërsa për Spiropalin tha se vendimi do të bëhet i ditur në vijim. Bëhet fjalë për thyerjen e urdhrit nga Spiropali, duke bojkotuar seancën ku u votua për çështjen e imunitetit të Belinda Ballukut.
“Nuk kam dëgjuar kritika. Dua të them që në PS secili ka të drejtën e vet të thotë gjithçka që mendon. Jo pa qëllim kemi hapur proces të gjerë analize brenda PS-së, ku secili është i lutur të vijë dhe të marrë pjesë deri në asamble. Sa i përket ambicies së çdo socialisti lidhur me proceset e ardhshme zgjedhore, pas vendimit të GJK-së nuk ka zgjedhje në Tiranë mes 15 prillit dhe 15 majit, kështu që do të kemi kohë. Për Spiropalin do t’ju njoftoj kur ta kemi vendimin”, tha Balla.
Deklarata e Ballës vjen në një moment kur brenda Partisë Socialiste janë trazuar ujërat. Erion Braçe ka shpallur kandidaturën për Bashkinë e Tiranës duke sfiduar hapur Edi Ramën. Ai ka kërkuar të zbatohet Statuti për të zgjedhur kandidatin në zgjedhjet që vijnë. Nga ana tjetër, Elisa Spiropali ka qenë shumë kritike që pas shkarkimit si ministre.
