E premte, 17 Prill, 2026

Romeo Kara zbërthen kulisat brenda selisë blu, fushata e spastrimeve në PD ka nisur që në ’92, pse Sali Berisha kërkon kontroll të plotë dhe frika e madhe që po e lë pa ‘gjumë’, ja hallka e zinxhirit që nëse këputet çon në greminë edhe Ramën

Share

Juristi i njohur, Romeo Kara, ka komentuar situatën brenda Partisë Demokratike, ndërsa ka hedhur akuza të forta ndaj kreut të PD, Sali Berisha. Gjatë një intervistë për gazetën “SOT”, ai zbërthen kulisat e fshehta brenda selisë blu, duke theksuar se fushata e spastrimeve në parti nuk është një zhvillim i ri, por një praktikë e hershme që daton që prej vitit ’92. Sipas Karës, ky model i vazhdueshëm përjashtimesh ka ndërtuar një strukturë të centralizuar, ku zërat kritikë janë eliminuar sistematikisht. Ai argumenton se kërkesa e Berishës për kontroll të plotë mbi partinë lidhet ngushtë me frikën nga humbja e pushtetit dhe përballja me drejtësinë. Në këtë kontekst, Kara flet për një gjendje tensioni të brendshëm që po e mban të ndezur krizën në PD. Ndërkohë juristi Kara paralajmëron se ekziston një “hallkë zinxhiri” e brishtë, e cila nëse këputet, mund të shkaktojë pasoja të mëdha politike. Sipas tij, kjo situatë nuk prek vetëm Partinë Demokratike, por rrezikon të ketë efekt domino edhe në skenën më të gjerë politike. Madje, ai shprehet se zhvillimet mund të përfshijnë edhe kundërshtarët politikë, duke përmendur se pas Berishës, radha mund t’i vijë edhe kryeministrit Edi Rama.

-Z. Kara, zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike po cilësohen si një spastrim i mirëfilltë politik. A po i eliminon Sali Berisha qëllimisht të gjithë zërat kritikë për të konsoliduar kontroll absolut mbi partinë?

Situata në Partinë Demokratike e Shqipërisë është realisht shumë e tensionuar dhe perceptimet për spastrimin politik të radhës vijnë nga disa zhvillime konkrete të startuara, sigurisht, në 19 maj 2021, kur e gjithë familja Berisha u “nderua” me titullin ‘non-grata’ nga State Department. Sali Berisha dhe mbështetësit e tij e paraqesin procesin e spastrimit si ristrukturim dhe disiplinim të partisë, duke e rrudhur akoma më tepër opozitën, në kundërshtim me nevojat për zgjerim dhe demagogjinë e servirur nëpër protesta për bashkim kombëtar kundër korrupsionit Rama. Startuar që nga viti 1992, ka vijuar pa ndalim largimi dhe margjinalizimi i figurave që kanë shprehur qëndrime ndryshe nga linja e Berishës. Si rezultat i kësaj dukurie, vendimmarrja është bërë gjithmonë e më e centralizuar dhe janë mbyllur hapësirat për debat të brendshëm, duke përforcuar narrativën se kemi të bëjmë vetëm me një konsolidim të pushtetit personal të Berishës. Këto përjashtime rrëzojnë plotësisht retorikën e shfaqur në protesta, largojnë ata që kanë ushqyer iluzionin e përmirësimit moral të PD dhe zhgënjejnë gjithashtu edhe faktorin ndërkombëtar.

-Duke qenë se në garën për kreun e PD-së deri tani figuron vetëm Sali Berisha, a mund të flitet seriozisht për një proces demokratik, apo kemi të bëjmë me një votim formal pa asnjë konkurrencë reale?

Pyetja që shtrohet është thelbësore për vetë kuptimin e demokracisë brenda partive politike. Në kushtet kur në garë për kreun e Partisë Demokratike e Shqipërisë figuron vetëm Sali Berisha, është e vështirë të flitet për një proces realisht konkurrues. Demokracia, në thelb, kërkon alternativë, garë idesh dhe mundësi zgjedhjeje mes më shumë se një kandidati. Në këtë rast, procesi mund të konsiderohet formal në aspektin procedural, pra zhvillohet një votim, respektohen disa rregulla, por i mungon elementi thelbësor i konkurrencës. Pa rivalë, vota e anëtarësisë nuk është një zgjedhje midis opsioneve, por më shumë një konfirmim ose refuzim simbolik i një kandidature të vetme. PD humbi një rast të artë të dhënë nga Basha më 2021, për t’u shkëputur nga e kaluara pengmarrëse e saj dhe të kthehej në një alternativë reale për pushtet.

-Sa ndikim kanë hetimet e SPAK ndaj Berishës në vendimet e tij politike – dhe a po përdoret partia si mburojë për problemet e tij ligjore?

Padyshim që po përdoret kryetarllëkun i tij në PD si mburojë politike përballë drejtësisë, pasi edhe aty u rikthye pikërisht kur drejtësia u vu përballë tij, duke denigruar pa mëshirë birin e tij politik, për të cilin deri në atë moment kishte thurur lavdet më të mëdha në publik. Është fare e thjeshtë: Basha sakrifikoi veten për PD, ndërsa Berisha po sakrifikon PD për veten. Pikërisht ky Berishë i marrë peng nga e kaluara e tij, tashmë të vënë nën goditje nga drejtësia, është kolaterali më i madh i Ramës në politikë. Ky është ngërçi dhe kjo nyje duhet këputur, përndryshe opozita do vuajë nga zhgënjimi edhe për shumë kohë.

-A është retorika për “armiq të brendshëm” një taktikë e qëllimshme për të justifikuar përjashtimet dhe për të mbajtur të mobilizuar bazën, ndërkohë që figura të rëndësishme po spastrohen nga partia?

Padyshim që po. Nuk ka asnjë rrugë tjetër për të mos instaluar meritokracinë dhe demokracinë brenda partisë, pa krijuar armiqtë e brendshëm dhe artificat lidhur me shkeljet statutore, të cilat përdoren në mënyrë të diskriminuar vetëm kundër zërave brenda në parti. Pra, gara bëhet nul, demokracia dhe meritokracia brenda partisë mbeten vetëm një iluzion, ndërkohë që retorika me armiqtë e brendshëm qëndron në pozita të frikshme superiore ndaj tyre. PD ka nevojë emergjente për legjitimitetin brenda saj, duke rikthyer meritokracinë dhe garën e vlerave, si dhe funksionimin e statutit nga çdo anëtar i saj. Kjo do të jetë garancia e vetme për ringritjen e saj.

-Nëse kjo linjë përjashtimesh dhe përçarjesh vazhdon, a rrezikon Partia Demokratike të degradojë në një strukturë të mbyllur rreth një individi, duke humbur kështu rolin e saj si opozita kryesore në vend?

Fakti që armiqtë e brendshëm përjashtohen paligjshmërisht, flet jo vetëm për një rrudhje fizike të partisë, por edhe për humbje të legjitimitetit dhe mbytje të frymës së duhur mbi të cilën ndërtohet solidariteti i duhur për t’u kthyer në alternativë përballë një pushteti represiv që sundon hapur mbi shqiptarët. Nuk mund të përmirësohet asnjë rezultat zgjedhor pa ndryshuar një sërë avazesh pengmarrëse brenda vetë partisë. E provuan në 11 maj 2025 se çfarë përfaqësojnë me të vërtetë, prandaj nëse duan rritje në rezultat, le të analizojnë se çfarë duhet të ndryshojnë brenda vetes, pasi grusht i bashkuar rreth Berishës në zgjedhjet e 2029 mund të përfundojnë fare në katastrofë. Deri sa ta kuptojnë se halli i Berishës është halli i tyre, do vazhdojnë të rrudhen e treten pareshtur. Uroj ta kuptojnë sa më shpejt. The sooner the better!

Intervistoi: Rigels Seliman

Te tjera

Lajme te tjera