Juristi i njohur, Kreshnik Spahiu ka bërë një analizë të fortë mbi zhvillimet më të fundit në Partinë Demokratike dhe skenën politike shqiptare. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, z. Spahiu e cilëson selinë blu si një “jelek anti-SPAK” për Sali Berishën, duke argumentuar se zgjedhjet e brendshme në PD rrezikojnë të pezullohen nga gjykata për shkak të kandidimit të paligjshëm të Berishës. Më tej jurisiti Spahiu shpjegon se frika e liderit historik të PD nuk lidhet me rivalët e tij politikë, por me ligjin që e ndalon të rikandidojë. Ai thekson se përjashtimet e figurave kritike brenda partisë janë një strategji për të shmangur legjitimimin e tyre në gjykatë. Sipas tij, procesi zgjedhor në PD është thjesht formal dhe pa konkurrencë reale, ndërsa historia e partisë tregon se rivalët e Berishës shpesh kanë pasur fat tragjik. Ndërkohë z. Spahiu e sheh PD-në si një strukturë të kapur, e cila ka humbur misionin opozitar dhe është kthyer në patericë politike të kryeministrit Edi Rama. Ai vë në dukje se SPAK ka nxjerrë Berishën jashtë loje, ndërkohë që retorika e “armiqve të brendshëm” ka shkatërruar unitetin e partisë. Juristi paralajmëron se përçarjet e vazhdueshme e rrezikojnë PD-në të humbasë rolin si opozita kryesore në vend. Në të njëjtën kohë, ai komenton edhe dosjet e tjera të rëndësishme, si ajo ndaj Ilir Metës, duke kërkuar transparencë dhe gjykime publike me dyer të hapura. Nga ana tjetër, për juristin e njohur, Kreshnik Spahiu, vetëm një drejtësi e hapur dhe e paanshme mund të tregojë nëse Shqipëria është qeverisur nga burra shteti apo nga kusarë.
-Z. Spahiu, përjashtimet e fundit në Partinë Demokratike të Shqipërisë janë parë si një valë spastrimi politik. A mendoni se Sali Berisha po eliminon çdo zë kritik sepse ka frikë nga mendimi ndryshe brenda partisë?
Jo, Sali Berisha nuk ka frikë nga gara brenda partisë, por ai ka frikë nga ligji. Në bazë të ligjit, Sali Berisha nuk mund të kandidojë sërish për kryetar të PD. Në bazë të ligjit, statuti i kësaj partie është miratuar me vendim gjykate. Në “kushtetutën” e Partisë Demokratike është votuar nga Kuvendi dhe miratuar nga gjykata që kryetari që humbet zgjedhjet nuk mund të rizgjidhet. Frika e Berishës nuk është se Ervin Salianji, Evi Kokalari apo Enkelejd Alibeja mund të fitojnë me votë, por është që nëse ata kandidojnë, atëherë legjitimohen t’i kërkojnë gjykatës përjashtimin e Sali Berishës nga gara për kryetar dhe gjykata s’ka asnjë zgjidhje tjetër, veçse është e detyruar të respektojë vendimin e saj që të përjashtojë Berishën, sepse ligji nuk e lejon të garojë sërish. Përjashtimi nga kandidimi i rivalëve i paraprin pengesës që ata mos legjitimohen në gjykatë për të kërkuar pezullimin e zgjedhjeve.
-Duke qenë se zgjedhjet për kreun e PD pritet të mbahen në maj dhe deri më tani Sali Berisha është i vetmi kandidat, a mund të flitet realisht për një garë demokratike, apo kemi të bëjmë me një proces formal pa konkurrencë të vërtetë?
Jo, nuk ka garë në PD. Berisha ka shkelur me këmbë çdo kandidat që garon pa lejen e tij për kryetar. Uroj që Saljani mos ketë fatin e rivalëve për kryetar të mëparshëm në Partinë Demokratike, si Azem Hajdari, Gramoz Pashko, Sokol Olldashi, Eduard Selami, Uran Butka.
-Sa ndikojnë hetimet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) ndaj Berishës në vendimmarrjen e tij politike dhe në mënyrën si ai menaxhon partinë?
E gjithë Partia Demokratike është një jelek anti-SPAK për Sali Berishën. Hetimet e SPAK kanë nxjerrë nga politika Berishën. PD kërkon që të largohet Belinda Balluku nga politika sepse akuzohet për veprën penale të “shkeljes së barazisë në tendera”, ndërkohë që mban në krye dhe kandidat për kryeministër Berishën, e akuzuar për disa vepra penale më të rënda ligjërisht se akuzat e Ballukut. Berisha akuzohet për korrupsion sipas GJKKO, ndërsa Balluku për pabarazi me tendera. Atëherë ku është morali i opozitës në këtë proces?
-A po përdoret retorika e “armiqve të brendshëm” si një strategji për të mbajtur të bashkuar bazën, ndërkohë që figura të rëndësishme po largohen ose përjashtohen?
Sali Berisha ka zbuluar armiq brenda partisë më shumë se Enver Hoxha dhe Stalini së bashku. Berisha ka eliminuar 100% të 377 themeluesve që krijuan PD në vitin 1990. Berisha ka shkatërruar Partinë Demokratike sepse s’ka asnjë parti në botë që nga kritikët brenda saj të jenë krijuar 17 parti të reja nga barku i PD, sepse aq shumë njerëz ka larguar Berisha si kryetar. Berisha ka më shumë njerëz të përjashtuar sesa anëtarë aktualë në parti.
-Nëse situata vazhdon me përçarje dhe përjashtime, a rrezikon Partia Demokratike të humbasë rolin e saj si opozita kryesore në vend?
PD e ka humbur misionin e saj dhe duhet mbyllur si parti. Arsyet e ekzistencës së saj nuk janë opozitarizmi, por nevoja që Rama të rrijë në pushtet. Edi Rama urdhëroi kthimin e vulës Sali Berishës sepse e shikon si mekanizmin e vetëm që PS të mos rrëzohet nga qeveria. PD dhe Berisha janë blerë nga Edi Rama dhe janë paterica e tij politike.
-Nga ana tjetër, dosja e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) ndaj Ilir Metës ka kaluar në Gjykatën e Posaçme (GJKKO). Sa serioze e shihni këtë fazë dhe çfarë impakti politik mund të ketë?
Forca dhe suksesi i prokurorisë nuk matet me arrestime, por me vendime gjykate. Kjo është fazë e rëndësishme për të kuptuar nëse politikanët e lartë do të deklarohen fajtorë apo të pafajshëm nga gjykata. Nëse prokuroria provon fajësitë, atëherë është e suksesshme, por nëse politikanët e lartë si Ilir Meta, Sali Berisha, Erion Veliaj, Iilir Beqaj, Belinda Balluku, Arben Ahmetaj, etj. shpallen të pafajshëm, atëherë dështimi i mbetet prokurorisë. Ndërkohë, një element i rëndësishëm është transparenca në gjykim.
-A mendoni se zhvillimet ndaj Metës dhe Berishës tregojnë një epokë të re ku drejtësia po godet figurat e larta politike, apo kemi ende perceptim të selektivitetit në hetime?
Unë do kisha kërkuar që gjykimet e dosjeve të Metës, Berishës, Veliajt, Ballukut, Ahmetajt, Beqes etj. të bëhen publike me kamera live dhe dyer të hapura për gazetarët. Populli duhet të jetë arbitri më i mirë për të gjykuar mbi pavarësinë, paanësinë, objektivitetin apo vlefshmërinë e provave kundër tyre. Një proces gjyqësor publik do na mundësonte të kuptonim nëse prokuroria ka qenë objektive apo selektive. Një gjykim me dyer të hapura do na bënte të kuptonim nëse jemi qeverisur nga burra shteti apo nga kusarë. Ndërkohë, mund të themi me bindje të plotë që superdosja e rëndësishme e ‘21 Janarit’ po shkon drejt dështimit dhe s’ka asnjë perspektivë për zbulimin e së vërtetës dhe krimit shtetëror. Juridikisht, vrasja është akti më i rëndë dhe i pakrahasueshëm me çdo aferë korrupsioni. Ryshfete marrin mijëra politikanë në Europë apo botë, ndërsa vrasje politike bëjnë vetëm disa diktatorë apo liderë kriminelë që numërohen me gishtat e njërës dorë në botë.
Intervistoi: Rigels Seliman
