Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, deklaroi se çmimi i naftës në Shqipëri është më i larti në Europë dhe në botë kur matet me fuqinë blerëse të qytetarëve. Në një takim të mbajtur ditën e sotme me ekspertë për çështjen e karburanteve, ai theksoi se kostoja e naftës rëndon ndjeshëm mbi ekonominë dhe buxhetin familjar, duke ndikuar drejtpërdrejt në çmimet e transportit, bujqësisë dhe produkteve ushqimore.
Berisha theksoi se qytetarët shqiptarë paguajnë deri në 7 herë më shumë nga të ardhurat e tyre ditore për karburant krahasuar me vende si Gjermania apo Zvicra. Berisha argumentoi se rreth 60% e çmimit të një litri nafte përbëhet nga taksat, duke e cilësuar këtë si një ngarkesë fiskale të paprecedentë.
Ai akuzoi qeverinë Rama për politika të gabuara dhe abuzime, duke përfshirë edhe kontrabandën e karburanteve. Berisha theksoi se kjo situatë i kushton ekonomisë shqiptare miliarda euro dhe përkeqëson konkurrueshmërinë e sektorëve kryesorë, si bujqësia dhe industria, të cilat ai i cilësoi në recesion.
Në fjalën e tij, lideri demokrat kundërshtoi edhe nismën e qeverisë për të ndërhyrë në tregun e naftës përmes një ndërmarrjeje shtetërore, duke e krahasuar me rastin e Air Albania, që ka rezultuar me humbje të mëdha financiare. Ai paralajmëroi se një ndërhyrje e tillë do të përkeqësonte situatën dhe do të rriste rrezikun e abuzimeve.
Kryetari i PD, Sali Berisha bëri thirrje për uljen e menjëhershme të taksave mbi karburantet, duke propozuar përgjysmimin e tyre si hap të parë, si dhe për një hetim ndaj Autoritetit të Konkurrencës, të cilin e akuzoi për dështim në mbikëqyrjen e tregut. Berisha njoftoi se Partia Demokratike do të paraqesë amendamente në Kuvend për të adresuar situatën.
