Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kërkuar përgjysmimin urgjent të taksave mbi naftën, duke e cilësuar nivelin aktual si ‘absurd’ dhe një barrë të rëndë për qytetarët shqiptarë. Në një bashkëbisedim online me qytetarët, Berisha deklaroi se çmimi i naftës në Shqipëri ka arritur në nivele shumë të larta dhe se kjo lidhet drejtpërdrejt me taksimin e lartë nga qeveria.
‘Qeveria shqiptare ka vendosur taksën më të lartë në botë mbi naftën, rreth 60% të çmimit të saj. Kjo është një taksë çnjerëzore që e paguajnë qytetarët shqiptarë’, u shpreh ai.
Sipas liderit të opozitës shqiptare Sali Berisha zgjidhja e vetme është ulja e menjëhershme e taksave: ‘Taksa prej 1.1 euro për litër duhet të përgjysmohet në 0.55 euro. Vetëm kështu mund të lehtësohen qytetarët dhe të afrohemi me nivelet e vendeve të BE-së’. Ai theksoi se rritja e çmimit të naftës ndikon jo vetëm tek ata që kanë automjete, por tek gjithë qytetarët, për shkak të efektit zinxhir në çmimet e produkteve bazë. ‘Nafta ndikon direkt tek çmimi i bukës, ushqimeve dhe transportit. Ata që kanë më pak janë më të goditurit’, tha ai.
Në fjalën e tij, kreu i PD-së Sali Berisha akuzoi gjithashtu qeverinë e drejtuar nga Edi Rama për korrupsion dhe keqmenaxhim ekonomik, duke pretenduar se ekonomia shqiptare po shkon drejt përkeqësimit. ‘Prodhimi bujqësor dhe industrial janë në krizë, ndërsa një pjesë e madhe e investimeve lidhen me para informale’, u shpreh Berisha. Ai
Kryedemokrati Sali Berisha u ndal edhe tek procesi i integrimit europian, duke deklaruar se Shqipëria rrezikon të mbetet në vendnumëro. ‘Pa votimin unanim të raportit për shtetin ligjor, Shqipëria nuk mbyll asnjë kapitull. Procesi i integrimit është bllokuar’, tha ai, duke shtuar se numri i vendeve skeptike në BE është rritur.
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha u bëri thirrje qytetarëve të bashkohen në protesta kundër qeverisë: ‘Ftoj qytetarët shqiptarë të bashkohen në revoltën tonë. Heshtja është ndihmë për këtë regjim, ndërsa protesta është rruga drejt ndryshimit dhe integrimit europian’. Ai theksoi se opozita do të vijojë protestat paqësore, duke i konsideruar ato si mjetin kryesor për arritjen e ndryshimit politik në vend.
