E premte, 17 Prill, 2026

Pas 108 ditësh protestë, Lapaj: Beteja vazhdon, do jemi në çdo cep të Shqipërisë

Share

Protesta 108-ditore e lëvizjes “Shqipëria Bëhet” përballë Kryeministrisë është mbyllur simbolikisht, me një karrige të përmbysur dhe një tabelë ku shkruhej “Sheshi u lirua”.

Megjithatë, kreu i lëvizjes Adriatik Lapaj, thekson se kjo nuk është një tërheqje, por një ndryshim strategjie.

“Është një ridimensionim. Protesta do të vijojë aty ku ka qenë, por edhe në çdo cep të Shqipërisë, aty kanë probleme qytetarët”, u shpreh ai në një intervistë për “A2CNN”.

Lapaj la të kuptohet se lëvizja synon të zgjerojë ndikimin përtej kryeqytetit. “Ne nuk do të kufizohemi më vetëm përballë Kryeministrisë. Do të jemi kudo ku ka padrejtësi dhe probleme reale”, tha ai.

Ai e cilësoi qëndrimin 108-ditor si të suksesshëm, duke e lidhur me zhvillime konkrete politike. Sipas tij, protesta ka qenë një mesazh i qartë ndaj qeverisë. 

“Sot është fakt që kur ne e nisëm protestën, Belinda Balluku ishte ministre, sot është shkarkuar. Kjo ishte një qëndresë për të treguar që qytetarët nuk janë të dorëzuar”, deklaroi Lapaj, duke sugjeruar se presioni qytetar ka dhënë efekt.

Në lidhje me bashkëpunimin opozitar, Lapaj theksoi nevojën për reflektim nga drejtuesit politikë.

“Drejtuesit duhet të dëgjojnë popullin. Shqipëria ka nevojë për ndryshim të madh sot”, tha ai.

Megjithatë, ai u tregua i rezervuar për vendime konkrete lidhur me zgjedhjet. “Ne do të marrim vendime shumë të matura. Unë nuk e kam tagrin për ta dhënë këtë përgjigje”, theksoi Lapaj.

Nga ana tjetër, ai kërkoi një qëndrim të përbashkët të opozitës për çështje të rëndësishme, veçanërisht për Kodin Zgjedhor.

“Të gjithë faktorët kundër Ramës duhet të dalin me një qëndrim të përbashkët, sidomos për Kodin Zgjedhor”, u shpreh Lapaj.

Te tjera

Lajme te tjera