Nga Klajda Gjosha
Teksa Komisioni Evropian po përgatitet të prezantojë strategjinë e re të zgjerimit, paralelisht me një sërë reformash të brendshme të Bashkimit Evropian, bëhet gjithnjë e më e qartë se procesi i anëtarësimit po shndërrohet në një mekanizëm shumë më kompleks dhe më pak të unifikuar sesa ishte konceptuar fillimisht. Paradoksi është se vendet tona, edhe kur duket se po i afrohen “teknikisht” Bashkimit Evropian, politikisht duket sikur largohen prej tij. Në vend të perspektivës së qartë të anëtarësimit me të drejta dhe përgjegjësi të plota, po merr formë një qasje e re me nivele të ndryshme integrimi, ku BE mban në njërën dorë stimujt dhe përfitimet e pjesshme, ndërsa në tjetrën ruan mekanizmat e kushtëzimit dhe kontrollit, duke e shtyrë gjithnjë e më tej momentin e anëtarësimit të plotë.
Për disa vende kandidate kjo qasje mund të konsiderohet e justifikuar, pasi reformat e kërkuara mbeten të papërfunduara dhe standardet evropiane ende larg përmbushjes. Por, në të njëjtën kohë, kjo gjendje tranzicioni duket se u përshtatet edhe shumë liderëve të Ballkanit Perëndimor. Një proces i pafund integrimi u mundëson atyre të ruajnë një hapësirë të konsiderueshme lirie në ushtrimin e pushtetit, duke shmangur mekanizmat më të fortë të kontrollit dhe llogaridhënies që sjell anëtarësimi i plotë në BE. Në këtë mënyrë, status quo-ja bëhet komode për të dyja palët: Bashkimi Evropian fiton kohë për të adresuar sfidat e veta të brendshme, ndërsa elitat politike në rajon shmangin detyrimet që do të sillte një integrim i plotë.
Nga ana tjetër, është gjithnjë e më e dukshme se zgjerimi sot është më shumë një çështje e sigurisë gjeopolitike sesa një projekt politik dhe vizionar. Lufta në Ukrainë, konkurrenca me aktorë të tjerë globalë dhe nevoja për stabilitet në fqinjësi e kanë rikthyer zgjerimin në agjendë, por jo domosdoshmërisht me filozofinë mbi të cilën u ndërtua dikur. Përvoja e dy dekadave të fundit tregon se as strategjitë e zgjerimit, as mekanizmat e monitorimit nuk kanë qenë të mjaftueshëm për të garantuar ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe konsolidimin e demokracisë në vende si Shqipëria. Megjithatë, pikërisht kjo duhet të na bëjë të reflektojmë se rreziku për qytetarët tanë është shumë më i madh jashtë BE-së sesa brenda tij.
Në fund të fundit, integrimi evropian nuk është vetëm një çështje institucionesh apo negociatash politike; ai është, mbi të gjitha, një garanci për qytetarët. Ata kërkojnë drejtësi, meritokraci, institucione funksionale, siguri sociale dhe mundësi të barabarta. Pyetja që mbetet është nëse modelet e reja të integrimit me “rrathë” apo anëtarësimi gradual mund t’i garantojnë realisht këto vlera. Kam bindjen se, për vende me kulturë institucionale ende të brishtë si e jona, procesi i plotë i anëtarësimit mbetet mekanizmi më efektiv për të imponuar standarde, për të forcuar llogaridhënien dhe për të garantuar zbatimin e rregullave. Fatkeqësisht, historia jonë ka treguar se, kur monitorimi dhe detyrimi i jashtëm zbehen, edhe ritmi i reformave ngadalësohet. Prandaj, sfida nuk është vetëm se si do të reformohet BE, por edhe nëse do të gjendet ende vullneti politik për ta mbajtur të gjallë premtimin e anëtarësimit të plotë si instrumentin më të fuqishëm të transformimit demokratik në Ballkanin Perëndimor.
*Klajda Gjosha-Ish-ministre e Integrimit/ Shënimi është marrë nga Facebook-u i saj.
