Bastet sportive online nuk do të mund të luhen nëse nuk hyni në sistem me kartë identiteti. Në Fletoren Zyrtare janë përcaktuar standardet teknike për funksionimin e basteve sportive online në Shqipëri. Vendimi synon rritjen e sigurisë, transparencës dhe kontrollit të këtij aktiviteti, duke vendosur rregulla të qarta për operatorët e licencuar.
Në fokus të këtij vendimi janë kushtet teknike që duhet të plotësojnë platformat online, duke përfshirë identifikimin dhe regjistrimin e lojtarëve. Çdo lojtar duhet të regjistrohet me të dhëna të plota personale, përfshirë dokument identifikimi, adresë dhe kontaktet përkatëse, ndërsa verifikimi i identitetit bëhet përmes email-it ose numrit të telefonit. Po ashtu, përcaktohen procedura të detajuara për faturat dhe transaksionet financiare, të cilat duhet të regjistrohen dhe monitorohen në kohë reale nga autoritetet përkatëse. Rregullat e reja parashikojnë gjithashtu që çdo përdorues të identifikohet në mënyrë të plotë përpara se të ketë akses në platformë, duke përfshirë verifikimin e moshës, për të ndaluar aksesin e të miturve.
Sipas vendimit, çdo platformë duhet të garantojë siguri të lartë, përmes përdorimit të protokolleve të avancuara ndaj sulmeve kibernetike. Një rëndësi e veçantë i kushtohet mbrojtjes së të dhënave personale dhe parandalimit të aktiviteteve të paligjshme, përfshirë pastrimin e parave.
Një tjetër element i rëndësishëm është integrimi i detyrueshëm i platformave me sistemet shtetërore të monitorimit, duke mundësuar raportimin automatik të të gjitha basteve, fitimeve dhe pagesave. Çdo tentativë për manipulim apo fshehje të të dhënave do të jetë e pamundur për shkak të mekanizmave të avancuar të kontrollit. Në aspektin teknik, sistemet duhet të garantojnë funksionim të pandërprerë 24 orë në 7 ditë të javës, me infrastrukturë të sigurt, kopje rezervë dhe plane rikuperimi në rast emergjencash. Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit do të ketë rol kyç në kontrollin dhe auditimin e këtyre platformave.
