E hënë, 23 Nëntor, 2026

Superliga/ Vora dhe Partizani barazojnë 2-2, ‘Demat’ shënuan në limite dhe me një lojtar më pak!

Share

Vora dhe Partizani barazuan 2-2 për raundin e 28-të të Superligës. Kjo e dielë solli një garë të fortë sportive në stadiumin e Vorës, me dy skuadrat që shënuan katër herë.

Ishin vorakët ata që gjetën dy gola me Luis Felipen dhe Prestige Ohaegbulam në minutat 42 dhe 45+2, para se Arafat Doumbia të shkurtonte për Partizanin në fundin e fraksionit të parë.

Pjesa e dytë solli një lojë mbrojtëse nga Vora dhe më sulmuese nga “Demat e Kuq”. Partizani mbeti me një lojtar më pak pas daljes me karton të kuq të Doumbia në shtesën e parë të ndeshjes, por nuk u dorëzua dhe gjeti golin e barazimit me autogolin e Prestige Ohaegbulam vetëm në limite (90+6′).

Partizani ndalet pas pesë fitoreve radhazi, por kryeqytetasit treguan shpirt të lartë gare dhe kanë shtatë ndeshje radhazi pa humbje në Superligë. Me 43 pikë Partizani mbetet në vendin e katërt, ndërsa Vora vijon mos fitojë dhe me 27 pikë ndodhet në vendin e tetë.

Nderkohe KF Tirana mori një fitore shumë të rëndësishme në luftën për mbijetesë, duke mposhtur minimalisht Bylisin me rezultatin 1-0 në ndeshjen e raundit të 28-të të Superligës shqiptare të futbollit e cila u luajt këtë pasdite në ‘Selman Stërmasi’.

Takimi nisi qetësisht dhe me pak raste të rrezikshme nga të dyja skuadrat. Pjesa e parë u mbyll pa gola, me ekipet që treguan kujdes të madh në mbrojtje.

Në pjesën e dytë loja u bë më e hapur dhe momenti vendimtar erdhi në minutën e 67-të. Sulmuesi Serge Tabekou, i aktivizuar nga stoli vetëm gjashtë minuta para se të shënonte, shfrytëzoi një asist të Alvarez dhe dërgoi topin në rrjetë, duke i dhënë avantazhin dhe në fund fitoren bardhebluve.

Me këtë sukses, KF Tirana ngjitet në vendin e parafundit me 24 pikë, por i afrohet rivalëve direkt në garën për mbijetesë. Nga ana tjetër, Bylisi mbetet në vendin e shtatë me 27 pikë, vetëm tre pikë më shumë se kryeqytetasit.

Bardheblutë siguruan tri pikë me rivalin direkt, ndërsa kjo ishte fitorja e parë e Orges Shehit pas rikthimit te Tirana.

Te tjera

Lajme te tjera