E premte, 17 Prill, 2026

“Scientific American”: Të qeshurit mund të përmirësojë shëndetin e zemrës

Share

Të qeshurit mund të ketë një ndikim të rëndësishëm pozitiv në shëndetin e zemrës, sugjeron një studim i ri shkencor që tregoi se emocionet pozitive mund të përmirësojnë qarkullimin e gjakut në trup, sipas “Scientific American”.

Sipas kërkimit të realizuar nga shkencëtarët e Shkollës së Mjekësisë në Universitetin Maryland, shikimi i filmave komikë dhe të qeshurit rrisin rrjedhjen e gjakut në enët e gjakut, ndërsa skenat dramatike ose stresuese mund ta ulin atë.

Në studim morën pjesë 20 vullnetarë të rinj dhe të shëndetshëm, të cilët panë fragmente filmash që zgjatën nga 15 deri në 30 minuta. Disa prej tyre ishin komedi, ndërsa të tjerët filma dramatikë.

Shkencëtarët përdorën ultratinguj për të matur rrjedhjen e gjakut në arterien brakiale, një enë gjaku që shtrihet nga shpatulla drejt bërrylit dhe përdoret shpesh për të vlerësuar shëndetin e sistemit kardiovaskular.

Rezultatet treguan se rrjedhja e gjakut u ul në 14 nga 20 pjesëmarrësit kur ata panë skena dramatike, përfshirë sekuencat e para të filmit “Saving Prive Ryan” – të cilat shkaktojnë stres emocional.

Në të kundërt, qarkullimi i gjakut u rrit në 19 nga 20 vullnetarët – kur ata panë skena humoristike nga komedi si, “There’s Something About Mary“.

Sipas studiuesve, diferenca në reagimin e enëve të gjakut ishte më shumë se 50 për qind, një rezultat që tregon se emocionet pozitive mund të ndikojnë ndjeshëm në funksionimin e sistemit kardiovaskular.

Ekspertët theksojnë se emocionet negative si stresi, zemërimi apo ankthi mund të dëmtojnë mekanizmat biologjike që ndihmojnë zgjerimin e enëve të gjakut.

Në të kundërt, të qeshurit dhe humori i mirë mund të përmirësojnë funksionin e endotelit – shtresa e brendshme e enëve të gjakut që rregullon qarkullimin e gjakut.

Megjithatë, studiuesit theksojnë se edhe pse e qeshura mund të ketë përfitime të rëndësishme për shëndetin e zemrës, ajo nuk mund të zëvendësojë aktivitetin fizik të rregullt apo stilin e jetesës së shëndetshme.

Te tjera

Lajme te tjera