Në listën e bashkëpunëtorëve të Kryeministrit Edi Rama, Albana Koçiu zë një vend të veçantë si figura më jetëgjatë dhe më konstante.
Sot, në moshën 48 vjeçare, emërimi i saj si zëvendëskryeministre nuk erdhi si një surprizë politike, por si një lëvizje e natyrshme për një njeri që e ka shoqëruar rrugëtimin institucional të Ramës që prej fillimeve të tij dhe si një rrjedhojë logjike e një karriere ku zhurma mediatike ka qenë e papërfillshme përballë peshës së rezultateve.
Si erdhi deri këtu, Albana Koçiu nuk e ka të vështirë dhe e ka rrëfyer edhe vetë në daljet e pakta publike, edhe për shkak të diskrecionit që ka mbajtur në jetën e vet, që në mjedisin tonë politik është sa i rrallë, aq edhe i vyer. Pavarësisht se tani në postin e zv.kryeministres do të duhet patjetër të ambientohet me fokusin e shtuar të medias në drejtim të saj.
Ky udhëtim i përbashkët me Kryeministrin nisi që në vitin 2001, kur sapo kishte përfunduar studimet në Fakultetin e Shkencave Sociale, iu bashkua ekipit të Bashkisë së Tiranës. Për dhjetë vite me radhë, deri në largimin e Ramës nga drejtimi i qytetit në vitin 2011, ajo ishte një pjesëmarrëse aktive në transformimet e mëdha të kryeqytetit, duke lënë gjurmë në politikat sociale të asaj kohe.
Sic rrëfen më vonë Koçiu bëri një pauzë të shkurter deri në 2013, kohë që në familjen e saj erdhi një vajzë, por që atëherë, karriera e saj nuk ka ndalur.
“Unë vij nga administrata publike”, tha në një intervistë në RTSH Albana Koçiu. E nisa si një punonjëse e shërbimeve sociale në bashkinë e Tiranës në detyrën e specialistit, për të ecur shkallë shkallë në karrierë. E vazhdova në pozicionin e përgjegjësit e deri drejtorit derisa u shkëputa”.
Shumëkush që e sheh sot si një figurë të qetë dhe diskrete, mbase nuk e di se karriera e saj është ndërtuar mbi argumente të forta profesionale. Që në fillimet e saj në Bashki, ajo ishte mendja dhe zëri pas programeve sociale. Në një kohë kur Tirana vlonte nga nevojat emergjente për infrastrukturë, Koçiu luftonte me argumente teknike për të vendosur njeriun në qendër të politikave bashkiake. Ky vizion i Kryeministrit Rama, Kryebashkiak në atë kohë, i mbrojtur me energjinë e një studenteje dhe seriozitetin e një teknokrateje, e bëri Albanën një pikë referimi për bashkëpunëtorët.
Më pas, karriera e saj me administratën do të ishte pa kthim pas. Eksperienca me më shumë se 20 vite në menaxhim, në pozicione drejtuese në administratën qendrore dhe vendore, me fokus të vecantë në fushën e menaxhimit të burimeve njerëzore, shërbimeve sociale, e bën atë një grua të aftë edhe në pozicionin e zv.kryeministres, që duhet të menaxhojë gjithë administratën qendrore.
Kështu që përfshirja plotësisht në politikë për Albana Koçiun nuk është një eksperiencë e ardhur nga “asgjëja”.
Eshtë një kalim i natyrshëm nga shërbimi në administratë, në shërbimin politik për të forcuar administratën dhe për të çuar përpara reformat.
Koçiu ndoshta vërtet duket diskrete për natyrën e saj. Sepse siç e thonë brenda rretheve të njerëzve që punojnë me të, është më shumë e dhënë për punën, sesa me dukjen; është më e dhënë pas projekteve dhe realizimit të tyre, sesa dukshmërisë dhe imazhit për publikun. Pavarësisht se shumë shpesh kjo qeveri akuzohet më shumë për makiazhin e vet sesa për punën e realizuar në terren, Koçiu ofron një kontrast të fortë.
Tashmë, në numrin dy të qeverisë ka ardhur një zonjë që di të bëjë më mirë të dytën (pra realizimin) sesa të parën (dukshmërinë).
E nëse ia del të realizojë më së miri këtë detyrë të radhës që i është ngarkuar, në një peizazh politik ku thuajse të gjithë bashkëpunëtorët e ngushtë, për arsye nga më të ndryshmet nuk ia kanë dalë të vijojnë rrugëtimin politik krah Edi Ramës, Albana Koçiu deri tani duket se do të mbetet bashkëpuntorja më jetëgjatë.
