Partia Demokratike mbajti dje protestën e dytë kombëtare për këtë vit, pas tubimit të 24 janarit, e cila edhe këtë herë u shoqërua me tensione, akte dhune dhe përplasje me forcat e rendit, duke krijuar për disa orë kaos në qendër të Tiranës.
Protesta nisi pasditen e sotme para godinës së Kryeministrisë, ku qindra mbështetës dhe militantë të PD-së u mblodhën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Fillimisht tubimi u zhvillua në mënyrë të organizuar, me fjalime nga drejtues të opozitës dhe përfaqësues të Partisë Demokratike. Protesta u mbajt nën masa të forta sigurie, ndërsa policia kishte vendosur kordonë përreth godinës qeveritare.
Situata ndryshoi menjëherë pas përfundimit të fjalimit të kreut të PD-së, Sali Berisha. Sapo ai mbylli fjalën, një pjesë e protestuesve nisën sulmet ndaj Kryeministrisë, duke hedhur molotovë dhe mjete piroteknike në drejtim të godinës. Si pasojë, u krijuan flakë dhe tym në disa pjesë të jashtme të saj, ndërsa policia ndërhyri për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të dhunës, duke përdorur autobotë me ujë dhe gaz lotsjellës.
Pas përplasjeve para Kryeministrisë, protesta u zhvendos drejt godinës së Kuvendit të Shqipërisë. Edhe aty situata u tensionua shpejt. Fillimisht pati shtyrje të kordonëve policorë, ndërsa më pas u hodhën sërish molotovë, të cilët ranë mes efektivëve të policisë dhe protestuesve. Për disa minuta, zona përpara Kuvendit u mbulua nga tymi, ndërsa policia u detyrua të ndërhyjë me gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë për të shpërndarë turmën.
Gjatë përplasjeve janë dëmtuar disa efektivë të Policisë së Shtetit dhe protestues, të cilët përfunduan në spital. Prania e policisë u shtua ndjeshëm në të dyja institucionet, me forca të shumta të rendit të vendosura për të garantuar sigurinë.
Pas rreth tre orësh protesta, përplasjesh dhe ndërhyrjesh të përsëritura të policisë, turma e protestuesve u shpërnda gradualisht, ndërsa situata në qendër të kryeqytetit u vu nën kontroll. Protesta e sotme shënon një tjetër episod të tensionuar në aksionin opozitar, duke përsëritur skenarë të ngjashëm me tubimin e 24 janarit.
