Fermerët nuk duhet të presin vetëm nga buxheti i shtetit, por duhet të ngrihen në lartësinë e duhur për të përfituar nga fondet e Bashkimit Evropian apo kredia me garancinë sovrane prej 250 mln eurosh që u është vënë në dispozicion.
Thirrjen e bëri vetë kreu i qeverisë Rama gjatë një takimi me fermerë në zonën e Divjakës.
“Duhet që secili të informohet dhe të bëjë gati atë që duhet për të marrë më shumë financim. Më shumë financim nuk vjen nga buxheti, vjen nga linja e kredisë së Bankës së Greqisë, nga Banka e Zhvillimit, Agrokrediti, fondet e BE. Të gjitha këto duan projekt. Po s’e tregove dhe po s’the urdhëro, ky është projekti dhe kështu do të nxjerr fitim e do të paguaj, s’merr lekët”, tha Rama.
Për mungesën e aplikimeve për garancinë sovrane, “veshin” ua tërhoqi bashkive.
“Ne kemi vënë në dispozicion të bujqësisë 250 milionë euro, që mund të shkojnë edhe 1 miliard, në rast se do të konsumohen. Duhet një përgatitje, e një dosje për t’iu drejtuar bankës, ja pse kjo që unë do bëj do sjellë fitim dhe ja arsyet pse duhet të më mbështesni. Në këtë aspekt ka mangësi, pushteti vendor. Kryetarët e bashkive duhet të jenë shumë më aktiv me bujqit për të adresuar këto financime. Nuk duhet të ketë asnjë problem. Bashkitë dhe ju mund të krijoni struktura, kompani të përbashkëta, për të marrë këto financime”, tha Rama.
Fermerët i paralajmëroi edhe për sfidat që sjell integrimi në BE, pasi tregu europian kërkon standarde të larta në sigurinë ushqimore.
“Hapja me BE kërkon që sot të fillojmë përgatitjet për të kuptuar çfarë ndodh nesër. Në rast se nuk plotësohen kriteret ushqimore të BE, ndalohet shitja këtu sepse je pjesë e tregut të BE. Natyrisht që kjo vjen pas një periudhe 15-vjeçare sepse në rast se ne jemi brenda BE në 2030, në 2040 ndodh kjo, por 15 vjet kalojnë shumë shpejt, më pyesni mua”, tha Rama.
Megjithatë, kryeministri Rama nuk i shpëtoi kritikave dhe pakënaqësisë së një fermeri, i cili tha se prodhimi i tyre po penalizohet për shkak të importit.
Ndërsa Ministri i Financave, Petrit Malaj shpreson që shtatori i këtij viti të sjellë dritë jeshile nga BE, për fondet e IPARD3, të bllokuara qw prej veres 2023 për shkak të dyshimeve për abuzim.
“Nga ana tjetër, jemi besimplotë dhe shpresëplotë se në shtator do të hapet dhe IPARD 3, që janë dhe 118 milionë euro të tjera për sektorin e bujqësisë.
A janë të mjaftueshme ose jo, patjetër mund të themi se nuk janë të mjaftueshme sepse bujqësia ka nevojë për më shumë, por besoj se jemi në rrugën e duhur për ta çuar bujqësinë në një nivel tjetër dhe për ta pasur konkurruese në tregjet evropiane”, tha Malaj.
Dëgjesa me fermerët me qëllim rishikimin e Skemën Kombëtare 2026 do të vijojnë në të gjitha qarqet e vendit sipas ministrit të Bujqësisë Salla, i cili tha se ekzekutivi synon politikat mbështetëse të ndërtohen në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me fermerët dhe të reflektojnë nevojat reale të sektorit bujqësor.
