Këtë të shtunë, Shtetet e Bashkuara kryen një operacion ndaj Venezuelës, duke arrestuar presidentin Nicolas Maduron dhe duke tronditur skenën ndërkombëtare. Reagimet globale janë ndarë në dy kampe: ata që e mbështesin ndërhyrjen dhe ata që kërkojnë respektimin e rregullave dhe ligjit ndërkombëtar.
Reagime pati edhe nga Ballkani. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentja Vjosa Osmani shprehën hapur mbështetjen për veprimin e SHBA-së, duke e konsideruar atë si një goditje ndaj diktaturës dhe një përpjekje për t’i dhënë fund represionit në Venezuelë. Në të njëjtën linjë u rreshtua edhe Sali Berisha, i cili e cilësoi ndërhyrjen si një “sinjal të fortë” për kundërshtarët e demokracisë në mbarë botën, duke mbështetur hapur presidentin Donald Trump.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama nuk ka bërë deri tani asnjë reagim personal lidhur me zhvillimet në Venezuelë. Ai duket se është mjaftuar me qëndrimin zyrtar të shprehur nga ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali, e cila ka mbështetur operacionin amerikan.
“Shqipëria qëndron pa mëdyshje përkrah Shteteve të Bashkuara dhe Presidentit të SHBA-së në veprimet e tyre vendimtare kundër regjimit narko-terrorist të Venezuelës”, deklaroi Spiropali.
Nga ana tjetër, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, e ka kritikuar të dielën kapjen e aleatit të tij, udhëheqësit të Venezuelës, Nicolas Maduro, nga Shtetet e Bashkuara një ditë më parë, duke thënë se “është e qartë” se rendi juridik ndërkombëtar dhe Karta e OKB-së “nuk funksionojnë”.
“Në botë sot mbizotëron ligji i forcës, ligji i të fortit. Ky është i vetmi parim i politikës bashkëkohore që ekziston sot në botë”, tha Vuçiç për media të dielën në Beograd, pas mbledhjes së Këshillit për Siguri Kombëtare të Serbisë.
Maduro u dërgua në një qendër paraburgimi në Nju Jork të dielën, dhe pritet të dalë para gjykatës gjatë javës për t’u përballur me akuza për vepra penale të drogës dhe armëve.
Vuçiç tha se Serbia “dëshiron miqësi me SHBA-në, por është detyra jonë të themi kur ka shkelje të së drejtës ndërkombëtare”.
Në Tiranë dhe Beograd, reagimet në rrjetet sociale dhe opinionet publike janë të përziera, por një prirje bie në sy: shumë qytetarë, me ironi ose seriozisht, shprehin dëshirën që Trump të vijë në Shqipëri apo Serbi “për t’i shpëtuar nga qeveritë aktuale”. Ky reagim emocional reflekton lodhjen e publikut nga politika e brendshme, ndonëse realiteti është krejt tjetër.
SHBA nuk ka asnjë qëllim dhe asnjë kapacitet për të ndërhyrë ushtarakisht në Shqipëri. Përkundrazi, Shqipëria konsiderohet një nga aleatët më të qëndrueshëm të Uashingtonit. Veprimi ndaj Venezuelës shihet më tepër si një mesazh i drejtpërdrejtë për autokratët e tjerë: liderët që shtypin demokracinë dhe largohen nga vlerat perëndimore mbeten nën vëzhgim dhe kritika të forta ndërkombëtare.
Ndërkohë që SHBA ka shprehur rezerva për zgjedhjet e fundit në Shqipëri për shkak të problematikave në proces, dhe situata në Serbi mbetet e tensionuar për shkak të kontrollit mbi median dhe institucionet, qëndrimet e udhëheqësve në rajon përbëjnë një tregues të qartë të orientimit të tyre politik. Pyetja që mbetet është: a e kanë kuptuar mesazhin e Trump?
