Nga trafiku apo ngjarjet kriminale në rrugët e vendit, te mbikqyrja e shkollave, e kontrolli mbi ndërtimet pa leje, gjithshka do të jetë nën vëzhgimin e 5 mijë kamerave që do të instalohen në 20 qendrat më të mëdha urbane të vendit.
Projekti “Smart City” ka hyrë kështu në fazën përfundimtare, pas nënshkrimit të sotëm të marrëveshjes me kompaninë PRESIGHT AI, pjesë e grupit G42.
Drejtuesi i kompanisë Thomas Pramotedham, tha se projekti mund të ketë një shtrirje të gjera zbatimi.
“Tek zhvillimi urban, te siguria publike, te lëvizhmëria, te qëndrueshmëria dhe e njëjta platformë mund të përdoret edhe për menaxhimin e mbetjeve urbane dhe për të arritur qëndrueshmërinë mjedisore”, tha Thomas Pramotedham.
Kryeministri Edi Rama theksoi se këto nuk janë thjesht kamera, por një “sy magjik” që rrit kapacitetet e Policisë së Shtetit.
“Ky është një projekt që në sekondën kur fillon dhe vihet në jetë, rrit kapacitetin policor në kohë reale. Ky është një projekt që i jep policisë shtetit një sy magjik për të parë në kohë reale të gjithë territorin e interesit. Është një projekt që ndihmon për të pasur një kryeinspektor i territorit që i ka sytë gjithandej. kur flitet për identifikimin në kohë reale të shkelësit. Nuk flitet por një identifikim që vjen si rezultat i syve të punonjësit të policisë që ndjek ekranin. Po flitet për një identifikim në kohë reale nga ky sy magjik, i cili e sheh, identifikon, i vendos një shenjë dhe e sjell para punonjësit të policisë”, tha Rama.
Rama tha përveç mbrojtjes nga krimi dhe garantimit të sigurisë publike, sistemi do të shërbejë edhe si mekanizëm mbikëqyrjeje për vetë punonjësit e policisë. Po ashtu 3 mijë kamera trupi do të vendosen në uniformat e efektivëve të Policisë së Shtetit, ndërsa sensorë për matjen e zhurmës do të instalohen në rrugët kryesore të vendit.
Ministrja e Brendshme Albana Koçiu deklaroi se projekti pritet të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e sigurisë.
“Deri në 30% rritje zbulueshmërie për ngjarjet kriminale; Deri në 45% reduktim të fataliteteve në aksidente rrugore; 30% më pak kohë e shpenzuar në trafik; 25% më pak kosto për menaxhimin e trafikut; 30% më pak ngarkesë administrative për Policinë e Shtetit, pra më shumë kohë në mbrojtje të qytetarit”, tha Koçiu.
Projekti “Smart City” u firmos më 23 shkurt të këtij viti, gjatë vizitës së presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed bin Zayed Al Nahyan, në Tiranë.
Përveç avantazheve që ofron, projekti ka nxitur edhe zëra kritikë të shqetësuar për rrezikun e shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe privatësisë.
